Qeveria e Serbisë ka filluar ndërtimin e një Universiteti Paralel të ashtuquajtur “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë” që kushton plot 6 milionë euro, e askush nga autoritetet e Kosovës ende nuk e kanë thënë asnjë fjalë..
Petar Petkovic, i cili është edhe drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë ishte ai që hodhi gurthemelin për ndërtimin e këtij Universiteti në Mitrovicë që nuk dihet nëse është bërë me ose pa dijen e institucioneve të Kosovës, pasi ato nuk janë deklaruar fare.
“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, tha Petkovic.
Sa i përket kësaj teme, të heshtur kanë qëndruar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani – të dy, shumë kritikues e akuzues ndaj qeverisjeve të kaluara për mungesë të aktivizmit për të shtrirë sovranitetin në komunat veriore të Kosovës të cilat janë të banuara me shumicë serbe.
E përveç tyre, reagim nuk ka pasur as nga Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili gjithashtu ka ditur të jetë i ashpër në kritika e madje e kishte nisur edhe detyrën e tij furishëm me arrestimin e një invalidi të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – duke shkaktuar kështu skandal edhe me deklarimet e tij pas ngjarjes.
Por, sa i përket cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, Sveçla si duket nuk ka asnjë fjalë për të thënë, ndonëse i njëjti ka qenë ndër kryesorët në protestat e Lëvizjes Vetëvendosje që si temë qëndrore kishin integritetin territorial.
Postimi i fundit në Facebookun e Sveçlës është ai për refugjatët afganë, por – tash kur janë bërë më shumë se 2 ditë prej kur Serbia ka nisur ndërtimin e një Universiteti Paralel në Kosovë, Sveçla po qëndron i heshtur.
Në anën tjetër, reagimet e opozitës dhe Shoqërisë Civile ishin të ashpra, shumica prej tyre në drejtim të qeverisë. Të ashpër u treguan edhe sot Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në reagimet e tyre zyrtare.
Partia e Lumir Abdixhikut këtë veprim e ka quajtur degradues për shtetin, i cili, sipas tyre, përforcon strukturat paralele në veri të vendit.
Kjo parti po kërkon nga kryeministri Kurti që të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri.
“Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”, thuhet tutje në reagimin e LDK-së.
“Me aprovimin e vizitës nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit së bashku me Ministrin e Qeverisë së Albin Kurtit, vunë në Mitrovicën e Veriut gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”. Me këtë veprim ata de-legjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës.
Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”.
Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë. Është Qeveria Kurti ajo e cila po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë. Është e vërtetë se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, neni 21, parasheh që “Komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetencë për shkollim të lartë …”, porse neni 19.2 më tutje nënvizon se “Autoritetet qendrore në Republikën e Kosovës monitorojnë ushtrimin e kompetencave të zgjeruara në pajtim me legjislacionin qendror, që parasheh qasje të barabartë në shërbimet publike; standarde minimale sasiore dhe cilësore në ofrimin e shërbimeve publike; kualifikime minimale të personelit dhe trajnimit të tyre, parimet e përgjithshme për licencim dhe akreditim të ofrueseve të shërbimeve publike.
” Qeveria Kurti, me gjithë fuqinë ekzekutive dhe shumicën absolute parlamentare që ka, po lejon që ministrat e saj, dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në këto aktivitete që de-legjitimojnë shtetin tonë. Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu. Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri.”, thuhet në reagimin e LDK’së.
Edhe më i ashpër në deklarimin e tij ishte kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se Kurti po tregohet i pazot në shumë situata në raport me Serbinë.
“… ose po i shlyen borxhe, po i paguan borxhe Serbisë që ia ka Kurti.”, ka thënë Haradinaj.
“Ka mjaft situata ku Kurti po tregohet i pazot me u përballë me Serbinë, ose po i shlyen borxhe, po i paguan borxhe Serbisë që ia ka Kurti. Nuk po flasim më për taksën që është hequr, e reciprocitetin që nuk është vendosur. Është rritja e importit nga Serbia, që flet shumë, pastaj e kemi edhe si mbërrin deri te bllokat, tregues interesant që flet. Si arriti qeveria jonë me identifiku se bllokat e Serbisë e paskan një masë të caktuar që i kthen në pozitë të barabartë me bllokat tonë, mos me ardh ata më lirë në Kosovë. Kjo flet shumë. Pastaj e dëgjojmë kryeministrin e Serbisë duke folur për rrugën e Paqes, për gazsjellësin rus, e nuk e dëgjojmë kryeministrin tonë duke na treguar se kur do të bëhet gazsjellësi amerikan. Pse na duhet nesër me u kyq në energjinë ruse, kur e kemi në Greqi atë amerikan”, tha ai.
E në anën tjetër, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se ndërtimi i Universitetit paralel serb në veri të Mitrovicës po bëhet në pajtim me kryeministrin Albin Kurti.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kryeministri përgjigjet që funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim, por sipas saj, ndërtimin e këtij universiteti Kurti e vlerëson në të mirën e integrimit të qytetarëve të pjesës veriore.
“Ndërtimi i Universitetit paralel serb në veri të Mitrovicës po bëhet në pajtim me kryeministrin Albin Kurti. Ai ishte në dijeni për ndërtimin e këtij Universiteti serb qysh në fillim të muajit korrik dhe këtë e ka konfirmuar në përgjigjen që ka dhënë në Kuvendin e Kosovës saktësisht me 7 korrik kur unë e pyeta për ndërtimin e këtij universiteti. Kryeministri pergjigjet që funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim, por ndertimin e këtij universiteti e vlerëson në të mirën e integrimit të qytetarve të pjesës veriore në shtetin tonë. Mund ta dëgjoni më poshtë pyetjen time dhe përgjigjen e Albin Kurtit cili kur ishte në opozitë thoshte “Serbia nuk kalon”.”, tha Musliu-Shoshi e PDK’së.
Në anën tjetër, ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë çështje. /Botapress/