Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas rreth një viti që nga ky propozim, Zyra e Presidentes Osmani ka thënë se një vendim rreth dekretimit ose jo të Kryeprokurorit të Shtetit do të merret në fund të muajit prill.
Këshilltari Bekim Kupina tha se afati për nxjerrjen e një vendimi ndërlidhet me procedurat gjyqësore të hapura nga kundër-kandidatët e Blerim Isufajt.
“Presidentja e ka sqaruar publikisht se duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore.
Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.
Ndryshe, javën e kaluar, KPK i është drejtuar me kërkesë Zyrës së Presidentes që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
KPK-ja ka vlerësuar se dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është “esencial për sistemin prokurorial dhe në përgjithësi për sundimin e ligjit në vend”.
“Kjo kërkesë është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim. Andaj, duke vlerësuar lart angazhimin e Zyrës së Presidentes në tërë këtë proces dhe rolin e saj si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, si dhe duke besuar në qëndrimin e përbashkët që të kemi institucione me funksionalitet të plotë, KPK-ja ka kërkuar që procesi i dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit të trajtohet me urgjencë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së.