Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti ynë si shtet, por edhe i përfaqësuesve të partive politike shqiptare, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Sipas tij, për këtë nevojitet dialogu me të gjitha palët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, para së gjithash me shtetet fqinje.
Duke folurnper raportet e VLEN me Vetevendosjen, Gashi tha se Ne kemi raporte të mira me të gjitha subjektet politike edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Por, edhe në rajon. Natyrisht, është botërisht e ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë hapur dhe e ka përkrahur koalicionin VLEN. Njëri nga eksponentët e Vetëvendosjes që është nga Maqedonia e Veriut, z.Bekim Qoku ishte në listën për deputet dhe është zgjedhur si deputet i këtij koalicioni.
Kështu që, raporti ynë s’do mend se është i afërt dhe mendoj se Vetëvendosja ka përkrahur një thirrje të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që janë simpatizues të Vetëvendosjes e që janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut e që e kanë dashur ndryshimin te shqiptarët në këtë vend.
Unë mendoj se Vetëvendosja dhe zoti [Albin] Kurti i janë përgjigjur kësaj ftese të madhe të shqiptarëve opozitar për një ndryshim dhe për një rrotacion politik.