Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit në botë me luftën në Iran dhe mbylljen e ngushticës së Hormuzit mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, përmes rritjes së çmimeve të naftës dhe energjisë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës përgatitjen urgjente të një pakete mbështetëse për bizneset dhe qytetarët.
Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, tha se megjithëse Kosova nuk ka transport të drejtpërdrejtë përmes kësaj ngushtice, ndikimi vjen në mënyrë indirekte përmes tregjeve evropiane dhe bursave ndërkombëtare.
“Ne nuk kemi, si të them, anije që qarkullojmë përmes ngushticës së Hormuzit, mirëpo në mënyrë indirekte na ndikon, për shkak se shumë kompani evropiane që ndikohen nga ngushtica e Hormuzit, atëherë ne importojmë dhe me automatizëm edhe ne ndikohemi. Dhe jemi duke parë çmimin e naftës, në momentin që është rritur në bursat ndërkombëtare ose në tregjet botërore, me automatizëm është rritur edhe te ne. Kurse rritja e çmimit të naftës dihet që është kosto operative për çdo biznes dhe kjo i tërheq edhe rritjen e çmimeve në produktet e tjera dhe kështu ta shkakton një inflacion. Dihet që zyrtarisht 20% e tregtisë së naftës dhe energjisë elektrike bëhet përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa jozyrtarisht kjo shkon deri në 30%. Dhe padyshim që ka me na afektu edhe neve, por shpresojmë që do të përfundojë shumë shpejt dhe të mos ketë probleme, i kemi parë edhe shtetet e mëdha, fuqitë e mëdha që kanë bërë thirrje që të ruhet, të mos mbyllet, të mos lejohet me u mbyllë ngushtica e Hormuzit”, tha ai.
Kryetari Rafuna theksoi se paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë elektrike janë shqetësuese dhe kritikoi mungesën e komunikimit institucional.
“Duhet të përgatitet një paketë, ne kemi kërkuar edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të jetë e gatshme dhe t’i paraprijnë. Në rast se kemi një rritje sidomos të çmimit të energjisë elektrike, atëherë qeveria patjetër që duhet me pasë një paketë në mënyrë që me mbështetë biznesin, me mbështetë edhe qytetarin e Republikës së Kosovës. Dhe paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për neve ka qenë shumë shqetësuese, dhe më shqetësuese është moskomunikimi dhe mosinformimi nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike se çfarë po ndodh, për shkak se ka qenë një paralajmërim nëpërmjet mediave që kemi pasur mundësi me pa, se zyrtarisht s’kemi pranuar asgjë që do të ketë një rritje prej 1 prillit”, tha ai.
Sipas tij, një rritje e tillë do të ishte goditje e rëndë si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët, në një kohë kur ekonomia tashmë po përballet me ritme të ulëta të rritjes dhe inflacion të lartë.
“Kështu që do të ishte një goditje e rëndë për biznesin, po do të ishte një goditje shumë e rëndë për qytetarët e Republikës së Kosovës, sidomos në kohën e tanishme. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që qeveria me pasë një paketë që me mbështetë uljen e inflacionit, po me mbështetë bizneset dhe me mbështetë qytetarin që mos me vërejt rritjen e inflacionit, siç po ndodh me të gjitha vendet, se nuk është kjo që po ndodh veç në Kosovë, ose veç Kosova duhet ta ketë paketën, e kanë të gjitha vendet që e kanë përgatitë paketën mbështetëse”, tha ai.
Rafuna shtoi se të dhënat e fundit tregojnë për rritje ekonomike të ulët dhe përshkallëzim të inflacionit, duke kërkuar rritje të investimeve publike e private dhe indeksim të pagave.
“Janë shumë të rrezikuara për shkak se neve edhe rritja ekonomike – tani i kemi të dhënat e fundit, ne si Odë Ekonomike – për vitin 2022 na ka dalë 3.65. Është një rritje shumë, shumë e vogël, është një rritje me rënie të lirë. Dhe nuk guxon kjo me ndodhë, Qeveria duhet me mendu si me shtu investimet e brendshme publike, si me shtu investimet e huaja, po si me i ndihmu edhe investimet private me u bo në Kosovë, e jo me i leju me shku në vendet e rajonit. Kështu që, duhet me pa edhe si me i indeksu pagat për si me thënë, për përqindjen e inflacionit. Ne e patëm tani të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ku inflacioni mujor na ka arrit mbi 6%. Dhe kjo i gërryen qytetarët e Kosovës dhe për këtë arsye duhet një paketë urgjente me u përgatit nga qeveria që mos me i leju inflacionit me ndiku në standardin jetësor të qytetarëve të Republikës së Kosovës ose me ndiku te biznesi”, tha ai./EO/



Të tjera
Lajme
Serbia ul akcizat në produktet e naftës për 40 për qind
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka
Aktuale
Kriza me naftën, OEK thirrje Qeverisë për përgatitjen urgjente të një pakete mbështetëse
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës,
Aktuale
Çmimet e larta të naftës mund të zgjasin deri më 2027
Çmimet e naftës ranë të premten,