Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që t’i plotësojë kërkesat e minatorëve të Trepçës.
Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se greva nuk është zgjidhje prandaj kërkesat e tyre duhet të plotësohen urgjentisht.
“E ftoj Kryeministrin dhe Qeverinë që t’u dalin zot premtimeve të tyre ndaj minatorëve dhe të plotësojnë kërkesat që ata kanë. Nuk duhet ta rrezikojnë shëndetin e qindra minatorëve vetëm për ta mbajtur me zor në krye të Trepçës një militant partiak”.
“Qysh sot duhet të ketë veprime që mundësojnë ndërprerjen e grevës. Ne nuk do të heshtim para padrejtësive dhe injorimit që po u bëhet kërkesave të minatorëve tanë – heronjve të nëntokës”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa, pohoi që një veprim të tillë u detyruan ta marrin pasi që Qeveria nuk veproi asgjë në këtë drejtim.
“Kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre – por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme – andaj duhet të plotësohen urgjentisht”.
Ai ka shtuar se edhe pse janë bërë katër ditë nga greva asnjë vizitë nuk e kanë pasur nga pushteti.
“Fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë në grevë, këta qindra minatorë që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga Kryeministri, as nga Ministrja e as nga ndonjë tjetër pushtetar”.
“Natyrisht që ikin – sepse premtimet e tyre të mëdha dje për Trepçën dhe minatorët, sot po vërtetohet të kenë qenë vetëm mashtrime”.
Edhe të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës, është diskutuar për grevën e minatorëve të Trepçës, e po ashtu është shkarkuar Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale./Botapress.info/