Situata në Ukrainë vazhdon të jetë e tensionuar. Së fundi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar qeverinë e Ukrainës se sulmi i plotë rus është i afërt, ku Rusia mund të sulmojë brenda 48 orësh.
Po ashtu, Departamenti i Mbrojtjes tha se Putin do të jepte shumë shpejt urdhrin për sulm.“Vetëm në Detin e Zi janë rreth 12 anije luftarake ruse. Shumica janë gati për luftë”, tha një zyrtar i Pentagonit.
E sipas profesorit universitar, Milazim Krasniqi, pushtimi rus i Ukrainës do të ketë ndikim të dukshëm edhe në Ballkan.
“Çfarë ndikimi? Ndikimi malinj i Rusisë do të dobësohet. Nëse Serbia mbetet përkrahëse e verbër e Rusisë, edhe Serbia do të dobësohet. Ndikimi malinj i Serbisë në Bosnje, në Malin e Zi dhe në Kosovë do të mund të zvogëlohet”, shkruan Krasniqi, përcjellë Botapress.info
“Por, kjo do të ndodhë nëse SHBA, NATO dhe BE definitivisht e trajtojnë Serbinë ashtu si është, shtet destabilizues dhe armik i Perëndimit. Pra, deri sa Rusia gjendet e bllokuar në politikat e veta të çmendura, ka një shans unik që të kryhen punët e mbetura përgjysmë në Ballkan”, ka shkruar profesor Milazim Krasniqi.