Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, i ka parashtruar pyetje kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se a mendon njëjtë si kryeministri i vendit, Albin Kurti, për politikanin e vrarë serb, Oliver Ivanoviq, raporton Gazeta Sinjali.
Konjufca ka thënë se mendimi i tij është i njëjtë me kryeministrin.
“Ne haptas e kemi quajtur me emrin që i përket një personi që bën veprime të tilla dhe ai është dënu edhe kualifiku me kategorinë e kriminelit, ky është mendimi jonë. Tash asgjë nuk mund t’i heq kësaj të cilën e ka vendos edhe gjyqësia e Kosovës. Ne e kemi thënë shumë më përpara sesa ta vendoste gjyqësia këtë çështje”, tha ai.
PDK me aksion në Kuvend – vendos fotografinë e Kurtit me ambasadorin: “Unë i besoj Martin B€ri$hajt”
Por Konjufca ka thënë se asgjë s’e fshinë historinë dhe biografinë e Ivanoviqit dhe të njëjtin e ka quajtur kriminel.
“Po po. Kriminel pa kurrfarë dyshimi”, tha kryekuvendari.
Ai ka bërë përpjekje ta arsyetojë adresimin e Kurtit në 5-vjetorin e vrasjes së Ivanoviqit, duke thënë se ka dashur të thotë që ai është vrarë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Ai ka qenë udhëheq i Rojave të Urës dhe Rojat e Urës kanë qenë një strukturë kriminale. Kryeministri vetëm, ky është mendimi im, ka dashur të thotë që ai njeri është vrarë prej Aleksandër Vuçiqit dhe kjo duhet të hetohet po ashtu prej anës së drejtësisë tonë bile edhe prej anës së drejtësisë ndërkombëtare. Kjo ma merr mendja është mesazhi që ai ka dashur të përçonte dhe e ka përçuar”, përfundoi kryetari i Kuvendit.