Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se qëndrimet e ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të prezantuara në Bruksel kanë qenë tronditëse, pra një Republikë serbe brenda Kosovës.
Ai ka akuzuar qeveritë e kaluara për emërimin e këtij ekipi, duke shtuar se ata nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës.
Kush ishin anëtarët e ekipit menaxhues që sot u shkarkuan nga Qeveria e Kosovës
Konjufca po ashtu ka shtuar se është e pakuptim se si një deputete e Serbisë ta përfaqësoj Kosovën, duke shtuar se ka më shumë se një javë që ka kërkuar shkrimin e tyre.
“Sa i përket diskutimeve në Bruksel, gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi, pra ekipi menaxhues i cili ishte vendosur prej Qeverive të mëparshme të Kosovës pati një qëndrim vërtet tronditës për ne. Me qenë se atje i prezantoj interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Pra po e shini edhe vetë se çfarë ekipe menaxhuese edhe çfarë institucione kanë vendosur qeveritë e mëparshme. Kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës, bile bile njëra prej tyre me sa dëgjova ishte pas bërë deputete në Parlament të Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandër Vuqiçit”.
“Kështu që nuk patëm ne çka të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues. Ky ekip menaxhues e prezantoi një draft-statut i cili është një Republikë Serbe brenda Kosovës. Kjo natyrisht që është e papranueshme për qeverinë tonë, për institucionet tona, gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, çdo zgjidhje që ju jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshëm dhe mu më pëlqeu shumë dhe jam para këtij akti të Qeverisë për t’i shkarkuar ekipin menaxhues, sepse një grup, një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandër Vuqiçit e jo interesat e popullit tonë. Nuk ka çka të kërkoj në pozicione zyrtare edhe nuk ka se si të përfaqësoj popullin edhe qytetarët e Kosovës. Ata e përfaqësuan Serbinë ditën e djeshme, unë kam pas bërë thirrje para një jave që ky ekip të shkarkohet”, tha ai, raporton EO.
Mëngjesin e së martës, Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draftstatutit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe në Kosovë.
Ekipi menaxhues ishte ngarkuar me përgjegjësinë e themelimit të Asociacionit, në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, por Ministri Krasniqi tha sot se ky ekip prezantoi punën e tij dje dhe se tashmë është pa status.
“Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkovic”, ka thënë Krasniqi./Botapress.info/