Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk shantazhon dhe as përgjëron Bashkimin Evropian, por dëshiron ta meritojë integrimin në BE. Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, BE – Kosovë, kryeparlamentari Konjufca tha se BE-ja nuk është e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se mungesa e një vizioni të BE-së për zgjerim po lindë euroskeptikë në rajon dhe po nxitë agjenda nacionaliste. Në foltoren e Kuvendit, Konjufca kritikoi BE-në për dështimin e liberalizimit të vizave. Derisa tha se për 6 vjet prej kur ka hyrë në fuqi MSA-ja, intensiteti i reformave në Kosovë ka qenë i ulët.
“Ne as nuk e shantazhojmë BE-në dhe as përgjërojmë, ne duam ta meritojmë BE-në me punë, reforma dhe angazhim konkret për drejtësi dhe barazi”, tha ai.
“Nga Komisioni Evropian është thënë se Kosova i ka plotësuar gjitha kriteret, përkundër këtij konstatimi regjimi i vizave ende mbetet në fuqi për qytetarët e Kosovës. Arsyetimi për mos liberalizim ka të bëjë me mospajtimin e disa shteteve anëtare të BE-së të cilat nuk pajtohen me këtë vlerësim të komisionit. Kjo e lenë një shije të keqe në Kosovë, pasi krijohet përshtypja se BE-ja nuk është një familje vlerash , por një grumbull individësh pa platformë të përbashkët”, tha ai.
Kreu i Kuvendit iu bashkëngjit kritikave ndaj BE’së pas shefit të ekzekutivit. Ky i fundit tha se vendimi për moslejimin e qytetarëve të udhëtojnë lirshëm nëpër shtetet e BE-së është i padrejtë dhe dritëshkurtër.
“Edhe zëri i qytetarëve të Kosovës duhet të dëgjohet nga ju. Veprimi për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës është i padrejtë dhe dritëshkurtër”, tha Kurti, percjell Botapress.info