Komandanti rajonal i Policisë së Kosovës në veriun e vendit, Nenad Gjuriq, sot e ka sfiduar ministrin Xhelal Sveçla dhe Republikën e Kosovës.
I veshur me uniformën e Policisë së Kosovës, Gjuriq ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga serbët në veriun e Kosovës, duke e keqpërdorur detyrën zyrtare dhe besimin e shtetit.
Madje, Gjuriq edhe i ka duartrokitur fjalimeve të liderëve serbë teksa flisnin në përkrahje të Vuçiqit dhe kundër Republikës së Kosovës, pjesë e institucioneve të të cilës është edhe vetë.
Duke vepruar në këtë mënyrë, Gjuriq e ka shkelur edhe Ligjin për Policinë.
Në nenin 49 të këtij ligji thuhet se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në asnjë aktivitet me karakter politik.
Policia e Kosovës obligohet që për shkelje të tilla të marrë masa.
Gazeta ka provuar të kontaktojë me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetin, por ai nuk është përgjigjur.
Po ashtu, gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin Xhelal Sveçla lidhur me këtë çështje, por as ai nuk e ka hapur telefonin.
Kuvendet komunale të katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dalë me një deklaratë të përbashkët gjashtë pikëshe, me të cilën kanë kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe e kanë mandatuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të flasë në emër të tyre.
Kjo deklaratë politike vjen vetëm pak kohë pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë dhe më pas edhe në një konferencë për media ripërsëriti se më 1 shtator do të zbatohet reciprociteti për targa dhe dokumente.
Para se të kumtohen këto pika, në deklaratën e transmetuar nga Kossev, pretendohet se serbët “po persekutohen nga Prishtina” dhe sipas tyre “hetimet po planifikohen qëllimisht”, duke iu referuar luftimit të kontrabandës në veri.
“Në emër të qytetarëve të komunave tona, ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje kompromisi, të qëndrueshme dhe afatgjate për problemin e targave dhe kartave të identitetit. Në 7 ditët e ardhshme, në përputhje me interesat e qytetarëve tanë, duke ruajtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, thotë pika e parë e dokumentit, përcjell Demokracia.com.
Ndërsa, në pikën e dytë kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi sipas tyre është obligim që Kosova ia ka Bashkimit Evropian.
Më pas si pikë e tretë kërkohet edhe nga KFOR-i që ta garantojë sigurinë e serbëve.
“Ftojmë bashkëqytetarët që të mos bien në grackën e vendimeve të njëanshme dhe ofertave joshëse të Albin Kurtit për targa dhe dokumente personale, sepse kjo nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Për më tepër, Prishtina po e përdor këtë çështje si fillim i llogarisë përfundimtare me popullin serb dhe Serbinë në këto zona”, thotë pika e katërt.
Ndërkaq, në pikën e pestë thuhet se përfaqësuesit e këtyre komunave “mbrojnë interesat e popullit serb”.
E në fund, si pikë gjashtë, paralajmërohet edhe dalja nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk gjendet kompromisi deri më 1 shtator./Botapress.info/