Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se i ka uruar mirëseardhje admiralit Stuart Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli.
Jahjaga ka shkruar se i ka shprehur mirënjohje për ushtarët e KFOR’it.
“I urova mirëseardhje në Kosovë Admiralit Stuart B. MUNSCH komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, dhe shpreha mirënjohjen tonë të përzemërt për ushtarët/et e KFOR-it. Përkushtimi i tyre i palëkundur për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë ka qenë shumë i vlefshëm, veçanërisht në këto kohë sfiduese.”
Ish presidentja ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit i ka ndryshuar thellësisht strukturat e sigurisë në rajon, duke shtuar se tash është një realitet i ri.
“Ngjarjet e fundit, si sulmi terrorist në veri, kanë ndryshuar thellësisht strukturat e sigurisë në rajon. Ne e gjejmë veten në një realitet të ri, një realitet që kërkon vëmendjen tonë të menjëhershme dhe koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë.”
Jahjaga i ka thënë Jahjagës se prania e NATO’s është jetike për të ardhmen dhe sigurinë rajonale në Ballkan.
Ajo ka shkruar se Kosova mbetet e përkushtuar të punojë me aleatët perëndimorë për integrim sa më të shpejtë në NATO dhe e palëkundur në orientimin e saj historik pro-perendimor.
“Përfundimisht, Admiralit i shpreha bindjen që prania e NATO-s në Kosovë është jetike për të ardhmen tonë dhe sigurinë rajonale në Ballkan. Rrëfeva edhe progresin e Kosovës në kompletimin e infrastrukturës së sigurisë, e cila është e lidhur ngushtë me marrëdhëniet tona me NATO-n dhe nevojën e anëtarësimit të vendit në NATO. Kosova mbetet e përkushtuar të punojë me aleatët perëndimorë për integrim sa më të shpejtë në NATO dhe e palëkundur në orientimin e saj historik pro-perendimor dhe ky është vizioni që bashkon të gjithë udhëheqësit e Kosovës.”