Lëvizja Vetëvendosje e cila tash udhëheq me shtetin e Kosovës, në kohën sa ishte në opozitë dikur e cilësonte shpalljen e Pavarësisë si kthim mbrapa dhe nuk shihte asgjë pozitive.
Asokohe VV-ja përmes një komunikate e vlerësonte si hap përpara vetëm shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë dhe njohjen nga vendet si ShBA-ja, Franca e Britania e madhe, por prap e cilësonte si kthim mbrapa me pranimin e Planit të Ahtisaarit dhe vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë si cenim të vetëvendosjes së brendshme.
Përveç Pakos së Ahtisaarit dhe misionit të EULEX-it, Vetëvendosjes i pengonte edhe festa e asaj dite e që e quanin “dalldisje”, raporton Paparaci.
Flamurin që më vonë kreu i VV-së, Albin Kurti, ta quante kreu i VV-së, “lara lara” i thonin i kontrabanduar.
Gjithë planin e Ahtisaarit Vetëvendosja e atëhershme e kontestonte duke ndjellë frikë se do të krijonte një “Republikë Serbe” brenda Kosovës të ngjashme me atë të Bosnjës.
Kosova përmes dy ligjeve e bëri edhe ushtrinë, por që për Vetëvendosjen kjo do të ishte e pamundur. Natyrisht se kjo nuk doli e vërtetë ashtu siç trumbetonte VV-ja.
Komunikata do të përmbyllej me atë se “Deklarata e Pavarësisë e sheh Kosovën vetëm si mjet për interesa regjionale dhe ndërkombëtare”.
Të gjitha këto pretendime të VV-së e cila asokohe refuzonte të bëhej pjesë e skenës politike, vite pas viti do të dëshmoheshin si të pavërteta.
VV-ja u bë pjesë e Kuvendit të Kosovës për herë të parë në vitin 2010, duke kundërshtuar pothuajse çdo proces. Madje nuk e respektonin asnjë simbol shtetërorë e as himnin.
E gjitha kjo do të ndryshonte me ardhjen në pushtet në vitin 2019, kur edhe i fitojnë zgjedhjet e para me një rezultat të ngushtë. Kështu vazhdon edhe tash me pushtetin që ia dhanë qytetarët e Republikës të cilën vazhdimisht e kundërshtuan.
Por, kreu i LVV-së, Albin Kurti, si kryeministër është bërë i dëgjueshëm, i pranon simbolet dhe të gjitha ato që dikur i kundërshtonte.
Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:
Një hap para – tre hapa mbrapa
Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë dhe njohja që pasoi nga ShBA-të, Franca, Britania e Madhe etj. është një hap para. Kosova për herë të parë u njoh si vend i mëvetshëm nga këto shtete të rëndësishme të botës.
Megjithatë deklarata e pavarësisë e ktheu Kosovën edhe tre hapa mbrapa.
- EULEX-i – apo cenimi i drejtpërdrejt i vetëvendosjes së brendshme, në kuptimin që Kosova në vazhdimësi nuk do ta qeverisë veten
- Pakoja e Ahtisaarit – apo krijimi i entitetit autonom serb brenda Kosovës nën kontroll të drejtpërdrejt të Serbisë
- Festa – dalldia e krijuar nga shpallja po shfrytëzohet për ta evituar vëmendjen nga:
- reagimi i strukturave paralele të Serbisë (djegja e ndërtesave të ShPK-së dhe Doganave të Kosovës
në Leposaviq dhe Zveçan)
- kontabandimi i ngutshëm i flamurit, stemës dhe ligjeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit të cilat kanë filluar të miratohen pa debat qysh nga e marta më 19 shkurt.
Deklarata ka qenë investim në inkurajimin e injorancës dhe harresës së njerëzve për situatën reale në terren. Politikanët vazhdimisht flitnin për datën dhe orën e pavarësisë në mënyrë që të mos flasin për përmbajtjen dhe cilësinë e pavarësisë së deklaruar; ata i fokusuan mediat në festën para, gjatë dhe pas deklaratës për ta heshtur diskutimin për atë se çfarë mund të bëjë Serbia me strukturat e saj paralele të cilat e kontrollojnë 1/4 e territorit të Kosovës. Deklarata përmban Pakon e Ahtisaarit e cila do ta krijojë një Republikë Serbe brenda Kosovës (ngjashëm me Bosnjen) dhe instalon sundimin ekzekutiv jo[1]demokratik të EULEX-it (prapë ngjashëm me Bosnjen).
Pakoja e Ahtisaarit është pranuar nga Ekipi Negociator dhe Kuvendi i Kosovës para një viti për shkak se është interpretuar si çmim për pavarësinë e cila do të pranohej më pas nga Serbia dhe Rusia, rrjedhimisht edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKBsë.
Tash edhe pse pavarësia e deklaruar nuk po pranohet nga Serbia dhe Rusia (dhe rrjedhimisht nga KS i OKB-së) Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës megjithatë janë zotuar se do ta zbatojnë Pakon e Ahtisaarit (e cila është refuzuar nga përherë e pangopura Serbi). Kjo është thikë në shpinë për popullin e Kosovës.
Pavarësia e përshkruar me këtë deklaratë nuk përfshinë Ushtrinë dhe nuk do ta sjellë integritetin territorial e as ulësen në OKB. Kështu Kosova mbetet pa mbrojtjen faktike që do ta bënte përmes ushtrisë së vet, dhe pa mbrojtjen ligjore e cila do të vinte nga fitimi i subjektivitetit ndërkombëtar që fitohet përmes ulëses në OKB. Një sulm eventual i Serbisë në një Kosovë pa subjektivitet ndërkombëtar, për sa i përket ligjit ndërkombëtar, nuk do të konsiderohej si agresion. Mosanëtarësimi në OKB nënkupton se Kosova nuk do të mund të jetë nënshkruese e asnjë prej Konventave të OKB-së në fushën e bashkëpunimit politik, ekonomik, social, të sigurisë, ekologjik, shëndetësor, arsimor e aspekteve tjera të jetës shoqërore. Pamundësia për të qenë pjesë e barabartë e këtij rrjeti ndërkombëtar nënkupton që qytetarët e Kosovës do të jenë të privuar nga e drejta dhe mundësia e shfrytëzimit të këtij bashkëpunimi për emancipim të vazhdueshëm, dhe që njëkohësisht nuk do të kenë mundësi të kontribuojnë në këto zhvillime globale. Kosova jo anëtare në OKB nuk do të mund ta shfrytëzojë këtë Organizatë mbikombëtare për interesa të veta fare.
Deklarata askund nuk e përmend në mënyrë eksplicite shkëputjen nga Serbia. Ajo thirret në “shpërbërjen jo koncensuale të Jugosllavisë”. Megjithatë dihet botërisht se Serbia është bërë trashëguese e drejtpërdrejtë e Jugosllavisë së Rezolutës 1244 pas shpërbërjes së Unionit Serbi-Mal i Zi. Deklarata e pavarësisë u trumbetua si një akt historik mirëpo ajo fare nuk e përfill historinë e Kosovës. Kjo deklaratë e shfajëson Serbinë duke mos e përmendur askund agresionin e okupimin e Serbisë mbi Kosovën si dhe krimet e gjenocidin njëshekullor të Serbisë mbi popullin e Kosovës.
Lëvizja VETEVENDOSJE !
Rr. Perandori Justinian, nr.9
Qyteza Pejton
10000 Prishtinë / Kosovë
Lëvizja VETEVENDOSJE ! – ëëë.vetevendosje.org – [email protected]
Deklarata përqendrohet në obligimet dhe detyrat e Kosovës dhe jo në të drejtat e liritë e saj. Ajo e sheh Kosovën vetëm si mjet për interesat regjionale dhe ndërkombëtare. Mbi të gjitha, kjo deklaratë fokusohet në zotimin për planin e Ahtisaarit.
Ahtisaari përmendet tetë herë, përderisa pavarësia tre herë (përfshirë titullin). “I lirë” nuk përmendet askund, por “liritë” përmendet një herë, sikur që përmendet “lirshëm”. Kjo tregon se plani i Ahtisaarit në fakt nuk ka qenë çmimi që politikanët është dashur ta paguajnë për pavarësinë, por se deklarata e pavarësisë ka qenë çmimi që zyret ndërkombëtare diplomatike është dashur të paguajnë për zbatimin e planit të Ahtisaarit. Për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe Rusisë ndaj planit të Ahtisaarit, kjo në fund mbeti mënyra e vetme për BE-në dhe ShBA-të për ta zbatuar atë.
Kjo deklaratë e pavarësisë e konsideron atë si çështje marrëveshjeje mes disa politikanëve vendor me ata ndërkombëtar e jo si pavarësi e vendit të një populli të lirë. Vetëm vetëvendosja do ta sjellte pavarësinë e mirëfilltë për të gjithë dhe secilin në Kosovë, për shkak se pavarësia e tillë do të ishte vendim i popullit.
Deklarata e 17 shkurtit është një hap para për Kosovën në aspektin e vetëvendosjes së jashtme. Por jo edhe në atë të brendshmen. Në këtë aspekt asgjë nuk ka ndryshuar. Kosova do të vazhdojë të jetë vend i qeverisur nga një mission jodemokratik i instaluar nga jashtë e jo i zgjedhur nga brenda./Botapress.info/