1. Tiranë.
Gjithë natën ndërtojnë soliterë, shpejt e shpejt.
E asnjë ngjyrë nuk fle në tjetrën.
Secila ndërtesë është shtet në vete, si kur padashje nga ajri derdhet kazani i ngjyrave të përdorura.
– Kur e shikon nga ballkoni më i lartë, Tirana duket si vend i sapo dalë nga lufta.
Kur ec nëpër të, e di ti si duket.
Se, mali nuk shihet nga mali…!
– Është bukuri e rrejshme, e fryrë me propagandë, si plaka pa rrudha – me botox.
Është rrenë që nuk ke kohë e as vullnet ta zbulosh.
– Është si dhoma e asaj nuses, që i fsheh mbeturinat pas kauçit, dhe vetëm qendrën e dhomës e mban të ‘pastër’!
– Karriget në Amfiteatrin e Fakultetit të Arteve janë me glasa dhe amfiteatri është kantë bërllogu.
Disa karrige plastike janë gjysmë të mbuluara me copa basme të kuqe si gjaku i vjetër.
– Gjithë ai student i artit, gjithë ai profesor i artit, gjithë ai ‘artist’, asnjëri nuk e kthen kokën kah Festivali i Filmit.
– Festivali duket si orë letrare e viteve të nëntëdhjeta, i organizuar ilegalisht nën okupim.
– E sheh Ndriçim Xhepën ulur në çimento, dhe të këputet shpirti: ku-ku, çfarë më pret, ama nuk çohesh t’ia lëshosh karrigen pa glasa që e ke zënë në amfiteatrin horror, të braktisur, ku ndjehesh si një lugat që e ka harruar në këtë botë shpirtin e tij.
– Unë i thashë ‘Kinemaja ka vdekur’, siç e di më mirë se unë, Martin Scorsese thotë se ‘Kinemaja s’ka vdekur por po transformohet’,
që do të thotë ka vdekur, se çfarë është transformimi tjetër përveç një lloj vdekje.
– Nuk ka art.
Ka intriga dhe ka thashetheme ordinere: ‘U kanë një herë një plak e një plakë’.
– S’ka art sepse s’ka kritikë.
Askush nuk i tregon ‘artistit’ të vërtetën, si skulptorit që e ka marrë pushtetin e përmendoreve, me sakicë, si në mal pa Zot.
– Pasi që s’ka industri të filmit, si në socializëm, një klan jurie i afërt me politikën i ndan paratë e shtetit për filma, ua ndan shokëve të njejtëve me rotacion,
shokët bëjnë filma me familjarë, për t’i ndarë paratë – dhe kaq.
Askush nuk i shikon ata filma.
Çmimet për ‘arritje të rrejshme’ i ndan politika….kryeministri ka shumë qejf!
– Paramendoje një artist të madh botëror që do ta bënte ‘me paratë e shtetit’ ‘artiste’ gruan e tij infermiere apo ekonomiste që s’ka lidhje me art.
– Pra, është hiperprodhim i financuar me paratë e shtetit, me paratë që digjen pa dhimbtë.
– Dhe, gjithmonë klanet e njëjta që “bëjnë art’ të papërdorshëm, të panevojshëm, të tepërt dhe të gërditshëm…
derisa në Fakultetin e Arteve disa u bën profesorë me ‘të fala nga kallashi’, disa me korrupsion, disa me ‘aktivitete qejfi’ e disa veç pse vijnë nga rajonet e trimave.
– Ku ndodh që Fakulteti i Arteve është ai që e ‘vret’ artin, pa pasur nevojë për ‘armik’ të artit.
– As Stalini nuk i ka urryer intelektualët më shumë se këta artin.
– Derisa për shqiptarët e Shqipërisë është bërë modë të jenë patriotë, Sali Berisha pret në penxhere.
– Kë e pret?
– Kush mund të vijë kaq vonë!
– Në burgun me dritare të hapur…
është burg qesharak ky, sepse është burg që nuk ta humb lirinë, por të bën qesharak.
– Ta shkatërrosh dikënd me humor, ky është arti i Edi Ramës!
– Kë e pret njeriu, kur e humb veten?
– Burgu duhet të jetë i dhimbshëm, i errët, pa dritë dhe i ftohtë për të ngjallur dhimbjen popullore…
e jo burg si ky, që të ishe i burgosur qysh duhet do të kishe kërcyer kaherë nga ballkoni në ballkon e do ta kishte çliruar veten, se Shqipëria s’po kërkon asgjë.
Shqipëria është e kënaqur: há, pi, rrezitet ‘shet diell dhe ujë të ndotur’.
– Shqipëria udhëhiqet me humorin e Edi Ramës.
Është mënyra më supreme e udhëheqjes, kur shqiptarët nuk i merr seriozisht – të bjen më së miri.
– Në një kafehane që po i bënte reklamë, Edi Rama e takoi Xhavit Halitin dhe e prezantoi si një ‘kriminel të luftës që ende nuk u kap nga drejtësia’.
– Hajgare po, por hajgarja është gjysma e së vërtetës.
– Unë pres që një ditë nga banesa në banesë shqiptarët të lidhen edhe me teleferik!
2. Prishtinë!
– Derisa Edi Rama është cinik dhe superior me lejen dhe me aminin e të gjithëve, Albin Kurti, rrush prej mendëve siç është, dëshiron të jetë shoku i të gjithëve.
– Një ditë përqafohet dhe proteston me burrat që janë shumë të mërzitur sepse duan të kenë të drejtë të veshin fustana me livojzin bojë qielli,
pastaj të nesërmen Albini shkon tek Naim Tërrnava dhe i thotë imamit se ‘duhet të sakrifikojmë’ për Bajram!
– Sakrifiko ti i pari, jep shembull – dorëhiqu, për shembull.
– Ose, hiç mos u dorëhiq, por së paku ose bëhu me atë burrin që vuan sepse dëshiron të vishet me fustan (anipse i veshur është me fustan), e të vë karmin (anipse me karmin i ka lyer buzët – askush nuk ia ndalon), ose bëhu me Naim Tërrnavën, që nuk pranon të vishet me fustan se nuk ia lejon feja.
– Feja i kufizon liritë luksoze apo ‘të tepërta, siç i quajnë ata’, prandaj s’mund të jesh ti halli yt pak fetar e pak jofetar, qysh janë mësuar shqiptarët mashtrues, ose je fetar ose s’je!
– E që këtij i duken ‘thithkat’ nga bluzat dhe këmishat, kjo mund t’u ndodh të gjithëve, s’ka dert.
– Veç sikur t’i ishin dukur thithkat ndonjë gruaje, nami do të ish bërë.
– Pra, It’s A Man’s Man’s Man’s World
kjo dynja e meshkujve (nëse mund të quhen meshkuj), sepse meshkujt nuk paragjykohen as nga meshkujt as nga femrat.
– E femrat, paragjykohen dyfish, në fund e ‘paragjykojnë’ edhe veten – pra gjithmonë përfundojnë trefish të paragjykuara!
– E bajshim me shëndet se e meritojmë! Kemi bërë hyzmet që të jemi të paragjykuara!
P.S. Derisa dikush e ka ‘Bajram në Ramazan’, mua për herë të parë sot më ka ndodhur ‘Ramazan në Bajram’…
– Janë disa ditë në muaj që unë gjithmonë agjëroj, sepse dua të ndjej urinë dhe etjen…!
Dua të mos ha pa e ndjerë urinë!
Sikur që dua të mos shkruaj, pa e ndjerë…
Dua të më merr malli!
– Me fat Kurban Bajrami!
Megjithëse momentalisht nuk ndjej asnjë trohë dashurie, ty po them:
– I sakrifikuar se i sakrifikuar, sakrifiko i pari, e hiqe gajlen!
Mos e bë veten të të sakrifikojnë…, pa dhimbtë!