Misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë, ia ka dorëzuar përgjigjen Ushtrisë së Serbisë rreth orës 19:00 në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Në letër është përgjigja mbi kërkesën e Beogradit për kthimin e 1,000 trupave ushtarake në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka konfirmuar se kanë pranuar një dokument lidhur me këtë çështje.
“Ministria e Mbrojtjes e ka dorëzuar dokumentin në Kabinetin e Presidentit dhe Komandantit të Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim që ta njoftojë atë për përmbajtjen e përgjigjes së KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Nga ky mision shtojnë që “nuk mund të lëshohemi në detaje për korrespondencën e NATO-s”.
Presidenti serb, Vuçiq, bëhet e ditur se do të ketë adresim lidhur me përmbajtjen e përgjigjes.
Ndryshe, më 15 dhjetor, Qeveria e Serbisë miratoi kërkesën e cila iu dërgua misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike.
Ai ka bërë të ditur se ajo do t’i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Vuçiq ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.
Vuçiq ka sqaruar se Serbia është duke kërkuar kthimin e 100 deri në 1.000 trupave, “sipas Rezolutës 1244”.
I menjëhershëm ishte reagimi nga institucionet e Kosovës të cilat kërkesën e Serbisë e cilësuan “kërcënim”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me këtë paralajmërim, Serbia po “kërcënon me agresion” Kosovën.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por sipas tij, kjo është çështje politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike.
Çka thotë Rezoluta 1244?
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.