Gjermania dhe Franca në të kaluarën kanë qenë të përfshira direkt në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pas ikjes së Angela Merkel, dukej se kishte rënë edhe entuziazmi i Emmanuel Macron, dhe e vetmja deklaratë që vinte nga Parisi dhe Berlini për punën e negociatave ishte se mbështesim punën e emisarit sllovak, Miroslav Lajcak.
Por ditëve të fundit gjërat kanë ndryshuar. Dy këshilltarë, njëri i Macronit dhe tjetri i kancelarit gjerman Scholz janë inkuadruar në proces, përmes një letre për kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksander Vucic, duke shënuar kështu rikthimin në negociata të tandemit Paris-Berlin, raporton Gazeta Express.
Ish-ministri i jashtëm gjatë kohës së Jugosllavisë, Valdislav Jovanovic ka thënë për “Novosti” se Perëndimi po synon të stabilizojë interesat në Ballkan pas situatës së krijuar në Ukrainë.
“Për këtë arsye ata janë fokusuar në burimin kryesor të vështirësisë, e që sipas tyre është Serbia si faktor vendimtar në raport me Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën”, ka thënë ish-diplomati serb.
Ai tutje ka thënë se kjo është edhe arsyeja për ndërmarrjen e këtyre iniciativave të mëdha gjeopolitike të cilat janë të koordinuara gjerësisht.
“Dy diplomatët e rinj të dërguar nga Macron dhe Scholz shfaqen si një formë e drejtpërdrejtë presioni që duhet të kurorëzohet me njohjen e Kosovës”, ka thënë Jovanovic.
Jovanovic tutje thotë se çdo fjalë tjetër që thuhet si “lëvizje të guximshme”, është për të ‘mbuluar’ kërkesën për njohje të Republikës së Kosovës.
Ndërsa diplomati serb Branko Brankovic këtë lëvizje të Gjermanisë dhe Francës po e sheh si një lëvizje strategjike të rëndësishme.
“Evropa e ka kuptuar se nuk dëshiron konflikt në Ukrainë për interesat amerikane. Tani përmes Kosovës po kthehet në lojë, dëshiron të imponojë dominimin e saj dhe të lërë mënjanë SHBA-në kur bëhet fjalë për Ballkanin”, ka thënë ai./