Qeveria e Kosovës ka prezantuar një pako mbështesë për qytetarët e Kosovës në vlerë prej mbi 100 milionë euro.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar ish kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Ky i fundit shkruan se vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve.
“Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi”, ka shkruar ndër të tjera Hoti./Botapress.info
Postimi i plotë i tij:
Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.
Duhet ndërmarrë masa afatgjate, të cilat i kemi propozuar kur filloi të shfaqet kriza:
(i) Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë.
(ii) Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike.
(iii) Duhet të rriten subvencionet në bujqësi.
(iv) Duhet të rritet paga minimale
(v) Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale.