Drejtori gjeneral i T7 Leonard Kerquki, ka reaguar ndaj deklaratave të bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu, shkruan Gazeta Botapress.
Në një postim në Facebook, Kërquki ka thënë se deklaratat e zotëriut të parë, është sulmi më i rëndë mbi mediat dhe gazetarët.
“Është thirrje për linç, thirrje për dhunë ndaj gazetarëve dhe familjeve të tyre nga një përfaqësues i pushtetit të ri, që po shndërrohet në pushtet arrogant dhe jodemokratik”, ka shkruar ai.
Tutje Kërquki ka thënë se shqetësimi i tij është se sikur Prindoni, për mediat dhe gazetarë , mendojnë edhe Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
“Nese Presidentja dhe Kryeministri nuk marrin masa ndaj tij, atehere deklarata e Prindonit duhet te konsiderohet si komunikate zyrtare e Shtetit te Kosoves per mediat dhe gazetaret. Mos u çuditeni nese pushteti fillon hakmarrjen ndaj gazetareve dhe familjeve te tyre pas kesaj deklarate. Eshte me rendesi qe prania nderkombetare ne vend te pozicionohet fuqishem kunder kesaj deklarate dhe kunder ketij sulmi brutal te pushtetit kunder mediave”, ka shkruar Kërquki.
Bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ka linçuar dhe fyer rëndë mediat në Kosovë, duke i quajtur ‘Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale’. Por, pasi Sadriu ka marrë kritika të shumta nga qytetarët, ai ka vendosur që ta largoj shkrimin nga rrjeti i tij social Facebook.
Sadriu kishte shpërndarë gjatë ditës së djeshme një shkrim të këshilltares së presidentes, Osmani, me mbishkrimin skandaloz ku i quante mediat ‘Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale’.
Një diskurs me gjuhë urrejtëse ndaj mediave si ky nuk është parë më herët, çka ka shtyrë shumë qytetar që ta kritikojnë Sadriun.
Pas këtyre kritikave nga qytetarët në shkrimin skandaloz të Sadriut, ai ka vendosur që ta largoj postimin e tij.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, kishte shkruar Sadriu. /Botapress.info/