Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci-Sherifi, më 19 dhe 20 mars 2022 kanë zhvilluar në Suedi takime me përfaqësues të mërgatës shqiptare në Malmo.
“Takime të ndara janë zhvilluar me përfaqësues të shoqatave shqiptare, mësues të gjuhës shqipe, profesionistë të shquar të fushave të ndryshme, aktivistë politikë si dhe me komunitetin shkencor shqiptar në Malmo”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Gjatë takimeve bëhet e ditur se janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe angazhimit në Kosovë të profesionistëve të mërgatës.
“Temë e bisedave ka qenë edhe “Qendra Kulturore” në Malmo, dhe diskutimi rreth alternativave të arsyeshme pas ndërprerjes së kontratës së kësaj qendre për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore të komunitetit shqiptar në Malmo”.
Nga të gjitha grupet e përfaqësuara në takimet e zhvilluara, MPJD njofton se u shtrua edhe kërkesa për hapjen e një Konsullate të Kosovën në qytetin e Malmos.
“Takimet u përmbyllën me një pritje, në të cilën morën pjesë edhe kryetarja e Këshillit Bashkiak të Malmos, Carina Nilsson dhe deputeti i Parlamentit Suedez, Joakim Sandell, me të cilët u biseduan sfidat gjeopolitike të krijuara nga lufta në Ukrainë, bashkëpunimi ekonomik e kulturor mes Suedisë dhe Kosovës, nevojat e komunitetit shqiptar në Malmo dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Malmos dhe qyteteve të Kosovës”./Botapress.info/.