Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar personit dhe ndërtesës së Këshillit Prokurorial, në afërsi prej 200 metra, prej një muaji ndaj ish-prokurorit Ali Rexha, i dyshuar për kanosjen e prokurorit Lulzim Sulejmani.
Këtë vendim e ka konfirmuar zyra për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Familja nga Kosova me kallëzim penal kundër spitalit “Zhan Mitrev”
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka vepruar sipas kërkesës për caktimin e masës Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit dhe të pandehurit A.R i ka caktuar masën e sigurisë Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ashtu që të pandehurit A.R i ndalohet që t’i afrohet L.S si dhe ndërtesës së Këshillit Prokurorial, në afërsi prej 200 metra” thuhet në njoftim.
Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë një (1) muaj, duke filluar nga data 21.07.2022, deri me datë 20.08.2022.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, ish-prokurori Rexha ishte arrestuar të mërkurën nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”.
Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një komunikate kishte njoftuar se është kanosur prokurori Lulzim Sulejmani në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe e ka dënuar kërcënimin ndaj tij.
“Këto kërcënime serioze ndaj Prokurorit Sulejmani vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha. Këshilli Prokurorial qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurorit Lulzim Sulejmani dhe ofron mbështetje të plotë në punën e tij gjatë ushtrimit të funksionit si Prokuror i Shtetit”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Botapress.info/