Një rast i ri ligjor si duket do të ngjajë në gjykatat kosovare. Dhe padia do të shkojë nga Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, në adresë të avokatit Besnik Berisha, i cili dje në një intervistë për gazetën Nacionale “shpërtheu” me ofendime ndaj prokurorit Rasim Maloku, por edhe me akuza ndaj ministres Haxhiu.
Nasuf Hasani, avokat, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se është angazhuar nga Albulena Haxhiu, për të paditur Besnik Berishën për shkak të deklaratave të tij në Nacionale.
“Ju njoftoj se jam autorizuar nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu që ta përfaqësojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës sa i përket paraqitjes së padisë për kompensim dëmi kundër Besnik Berisha, e cila bazë kontesti ka shpifjen dhe fyerjen.” – shkroi Hasani.
Tutje, avokati ka treguar se padia do të ushtrohet nëse Berisha nuk i tërheq deklaratat dhe nëse nuk kërkon falje.
“Nga sa u njoftuam përmes mediave, z. Berisha paska thirrur nesër një Konferencë, ku e shfrytëzoj rastin ta ftoj të njëjtin që t’i prezantojë provat që dëshmojnë deklaratën e tij të mbrëmshme se Ministrja Haxhiu e paska urdhëruar Prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin.
Në të kundertën, nëse i njëjti nuk e tërheq atë deklaratë nesër dhe nëse nuk kërkon falje, le të përgatitet për betejë ligjore.” – shkroi tutje ai.
Por çfarë tha Berisha?
Dje në Nacionale, Besnik Berisha foli rreth arrestimit të tij disa ditë më parë. Në intervistën për gazetarin Berat Buzhala, z. Berisha kishte shumë akuza ndaj prokurorit Rasim Malokut, por edhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
Në një intervistë te “Ditari i Buzhalës”, Berisha rrëfeu dje rastin e tij ligjor, duke akuzuar prokurorët për marrjen e udhëzimeve nga ministrat e pushtetit.
Në intervistën me gazetarin Berat Buzhala, Berisha theksoi se arrestimi i tij ka ardhur nga “një këlysh i pushtetit i veshur në petkun e prokurorit”. Berisha ka përmendur një duzinë fjalësh të rënda më anë të të cilave ai tha se iu drejtuar prokurorit të rastit.
Më tëj ai tha se autorizimi u mor në natën kur ai ishte në emisionin “Rubikon” ku po diskutoheshin “aferat e pushtetit”.
“Nëse një klysh i pushtetit i veshur me petkun e pushtetit, merr udhëzime nga një minister e padijshme, e pa edukuar e dështuar në profesionin e vet, patjeter se arrestohen edhe avokatët. Unë jam arrestu nga një klysh i pushtetit. Për ata që na dëgjojnë e mos me u çuditë ju tregoj kush është Ai është Rasim Maloku. Po ju tregoj se në një seancë e cila ka zgjatë nga ora 19:30 deri në orën 4 pas mesnate, Malokun e kam quajtur ahmak, e që je idiot e i padijshëm, e që ke marrë urdhëra prej pushtetit.” – theksonte ai dje ndër të tjera.