Autoritetet në Serbi nuk kanë ofruar informacione lidhur me tre zyrtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët autoritetet e Kosovës besojnë se janë rrëmbyer nga Serbia, ndërsa Beogradi pretendon se ata janë arrestuar në territorin serb.
Autoritetet në Serbi kanë bërë të ditur të mërkurën se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë arrestuar në zonën afër Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë. Rashka ndodhet në jugperëndim të Serbisë, afër pikë kalimit me Kosovën.
Kurse Policia e Kosovës ka thënë se ata janë rrëmbyer gjatë një patrullimi në zonën Tresave – Bare, në komunën e Leposaviqit, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media që u mbajt sot në Qeveri, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, u tha se nuk kanë informacione se ku po mbahen tre policët.
Sot është deklaruar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se autoritetet serbe u qasen në mënyrë të duhur policëve të Kosovës dhe nuk i keqtrajtojnë.
Në një konferencë për shtyp, pas takimit me presideten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Vuçiq ka thënë se të arrestuarit kanë deklaruar se “GPS-ja e tyre nuk ka funksionuar dhe kanë qenë në kërkim të kërpudhave”.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.
Kryeministri Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë, dhe ka thënë se është “i habitur nga heshtja e tyre”.