Analisti dhe gazetari Bekim Kabashi ka postuar në Facebook’un e tij një status ku thotë se qeveria Kurti ka filluar hapat e parë për themelimin e Asociacionit sipas marrëveshjes së Prillit të vitit 2013.
Ai ka thënë se marrëveshja për themelimin e Asociacionit po e ndjek edhe planin e zbatimit të marrëveshjes Thaçi – Daçiq në prill të vitit 2013.
Kabashi thotë se me pranimin e draft-statutit në Bruksel dhe me shpërbërjen e Grupit Menaxhues, po ndiqet marrëveshja e Prillit të 2013-tës.
“Qeveria ka fillu hapat e parë për themelimin e Asociacionit, apo Zajednicës siç i thonin në të kaluarën, pikërisht sipas marrëveshjes së prillit 2013 e arritur në atë kohë në mes të kryeministrave Thaçi – Daçiq, dhe planit të saj të zbatimit. Filloi me pranimin e draft statutit në tavolinën e dialogut në Bruksel, dhe me shpërbërjen e Grupit Menaxhues, pa ja hjekë ‘asnjë presje’ asaj që e parasheh Marrëveshja.”, shkruan Kabashi.
Në dokumentin e publikuar nga Kabashi thuhet se “Palët do të krijojnë një Grup Menaxhues për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë duke përfshirë termat e referencës të përcaktuara nga Komiteti Zbatues. Këto TeR do të përfshijnë ndër të tjera përpilimin e draft statutit”.
Në atë dokument gjithashtu ishte paraparë edhe shpërbërja e ekipit përgaditor. /Botapress.info/