Politikani serb, Aleksandër Jabllanoviq, ka marrë dy banesa në Beograd dhe një milion euro, për t’u tërhequr nga gara për kryetar të Leposaviqit, ka thënë sot Kryeministri Albin Kurti në një deklarim në gjuhën serbe. Këtë tha se e kishte me të dëgjuar dhe se nuk e dinte nëse është e vërtetë.
Ish-ministri serb i Qeverisë së Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se e ka parë deklaratën e Kurtit. Jabllanoviq thotë se Kurti po dënon dhe po shfajëson njerëz nëpër media.
“Ai ka nisur shumë shpesh të dënojë dhe të shfajësojë njerëz nga disa akte, përmes mediave. Deklarata e tij është interesante, por jam i zhgënjyer që nuk është e vërtetë”, ka thënë ai.
Përveç deklaratës për fitimet materiale në këmbim të dorëheqjes, Jabllanoviq komentoi adresimet që Kurti ia bën komunitetit serb në Kosovë, nga zyra e tij, në serbisht.
“Në anën tjetër, kjo është një tjetër përpjekje, ku ai komunikon me serbë përmes deklaratave në gjuhën serbe, ndërsa në vend të kësaj, do të duhej të fliste ballë për ballë me politikanë serbë për ngjarjet aktuale, se si duhet të procedohen”, ka thënë të mërkurën Jabllanoviq.
Në një videoadresim, Kurti ka thënë se tërheqja e Jabllaniviqit nga zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut mund të ketë ardhur nga një presion i madh, apo nga një ofertë shumë luksoze.
“Mendova të paktën që Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai u largua nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Ndoshta nuk është e vërtetë, por gjithsesi duhet të ketë pasur një presion shumë të madh ose një ofertë shumë luksoze, që e detyroi Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, tha Kurti.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe, e edhe Jabllanoviqi, kanë thënë çdo gjë për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranojë si kryetarë të ardhshëm komunash. Tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një kryetar i ri”, ka thënë Kurti.
Jabllanoviq do të garonte për kryetar të Leposaviqit, në zgjedhjet që i kishte bojkotuar Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar.
Por, pak para mbajtjes së tyre, në prill të këtij viti, Jabllanoviq vendosi të tërhiqej. Thuhej se serbët që kishin vendosur të garonin, po kërcënoheshin ose po u bëheshin oferta për t’u tërhequr, sepse plani ishte që të bojkotoheshin tërësisht.
Por, Jabllanoviq, kur vendosi të mos garonte, tha se këtë nuk po e bënte për shkak të presionit, porse vlerësonte se nuk ishin kushtet e përshtatshme për të mbajtur zgjedhje.
Katër komunat veriore shkuan në zgjedhje, pasi kryetarët e tyre që vinin nga Lista Serbe dhanë dorëheqje, në valën e largimeve masive të serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, gjatë nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të cështjes së targave.