Ja si të mbani nën kontroll tensionin e lartë të gjakut çdo ditë

 

Tensioni i lartë i gjakut, i njohur si “vrasësi i heshtur”, prek gati gjysmën e të rriturve dhe shpesh nuk jep asnjë shenjë. Ai rrit ndjeshëm rrezikun për infarkt, sulm në tru, dështim të zemrës dhe lidhet edhe me rënien e funksioneve të trurit dhe demencën.

“Hipertensioni është faktori më i ndryshueshëm i rrezikut për sëmundjet e zemrës, sulmin në tru dhe, sipas provave të reja, edhe për rënien e aftësive njohëse”, ka thënë doktori Eduardo Sanchez nga Shoqata Amerikane e Zemrës, ka shkruar The New York Times.

Ja disa hapa të thjeshtë që ndihmojnë realisht:

Njihni vlerat tuaja

Shumë njerëz me tension të lartë nuk e dinë që e kanë atë. Tensioni normal është nën 120/80 mm Hg. Mbi këtë nivel fillon dëmtimi i enëve të gjakut, zemrës, veshkave dhe trurit.

“Matja duhet bërë siç duhet: ulur, me këmbët në tokë, krahun në nivelin e zemrës dhe pa folur”, ka shpjeguar doktoresha Jennifer Cluett.

Ajo këshillon edhe matjen në shtëpi, pasi disa persona kanë tension më të lartë vetëm te mjeku.

Kuptoni rrezikun personal

Tensioni i lartë zhvillohet me kalimin e kohës dhe ndikohet nga gjenetika, pesha e tepërt, duhani, mungesa e gjumit dhe stresi.

“Nëse në familje ka pasur persona që kanë pësuar infarkt apo sulme në tru, rreziku është më i lartë të familjarët e tjerë”, ka thënë doktoresha Fatima Coronado nga CDC.

Mosha, gjinia dhe shtatzënia janë faktorë shtesë që duhen marrë seriozisht.

Ndiqni një dietë me ushqime miqësore për zemrën

Dieta DASH konsiderohet më efektivja për uljen e tensionit. Ajo përfshin ushqime të pasura me kalium, i cili ndihmon trupin të largojë natriumin dhe relakson enët e gjakut.

“Kaliumi ndihmon në uljen e presionit në enët e gjakut”, shpjegojnë mjekët.

Ai gjendet te avokadoja, pjepri, agrumet, spinaqi dhe perimet me gjethe të gjelbra.

Ulja e konsumimit të kripës është po ashtu thelbësore.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon jo më shumë se 2,300 mg natrium në ditë, ideale edhe më pak.

Alkooli gjithashtu rrit tensionin, ndaj rekomandohet kufizimi i fortë ose shmangia.

Lëvizni dhe menaxhoni stresin

Aktiviteti fizik, sidomos ecja e shpejtë, ushtrimet aerobike dhe ushtrimet statike si “plank” apo mbajtja në mur, ndihmojnë në uljen e tensionit.

Sipas specialistëve, ushtrimet e bëjnë zemrën të punojë me më pak përpjekje. Edhe ushtrimet joga dhe meditimi ndihmojnë në uljen e stresit.

Mos kini frikë nga ilaçet

Objektivi është tensioni nën 130/80 mm Hg, ndërsa nën 120/80 është edhe më mirë. Shpesh kjo arrihet vetëm me ilaçe.

“Edhe nëse merrni ilaçe, ndryshimet në stilin e jetës mbeten shumë të rëndësishme dhe ndikojnë pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm”, ka theksuar Cluett.

Të tjera

Lajme Sport

Kosova parakalon në Lojërat Olimpike dimërore

Garuesit nga Kosova kanë parakaluar në

Showbiz

Alba merr vendim të pazakontë , kërkon të mbulohet

Alba Pollozhani ka befasuar me vendimin