Dy ministra të Qeverisë Kurti, që ishin kthyer nga diaspora për të marrë në dorë udhëheqjen e ministrive, kanë dhënë dorëheqje. Sot ka dhënë dorëheqje Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e para rreth një viti ai i Shëndetësisë, Rifat Latifi. E vetmja që ka mbetur pjesë e kabinetit qeverisës nga mërgata është Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Kurtit i është kërkuar disa herë që ta shkarkojë të njëjtën.
Gazeta Express
Kryeministri Albin Kurti ka liruar sot nga detyra Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili ishte kthyer nga Norvegjia për të shërbyer në këtë pozitë. Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Mehaj ka thënë se kjo është bërë me kërkesë të tij, në mirëbesim dhe mirëkuptim të plotë.
Ish-ministri ka thënë se kërkesën e ka bërë për arsye familjare pa hyrë në detaje, për të cilat shtoi se ka njoftuar Kurtin kohë më parë.
“Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, shkroi Mehaj.
Mehaj ka thënë se ka qenë përgjegjësi e privilegj që ta merrte këtë detyrë, derisa ka renditur ato që i cilëson suksese gjatë kohës sa ka udhëhequr me Ministrinë e Mbrojtjes.
Ka përmendur blerjet e armatimit, pjesëmarrjen e ushtarëve të FSK’së ë misione të mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland dhe përfshirjen e Kosovës si vend pritës përveçse pjesëmarrës, në ushtrimet e mëdha ndërkombëtare “Defender Europe 2021” dhe “Defender Europe 2023”. Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe 2023”, pas refuzimit të thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shtensionuar situatën në veri.
“I kemi shtuar kontaktet dhe i kemi fuqizuar raportet e dyanshme me partnerët dhe aleatët tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar”, ka shkruar Mehaj.
Në vend të tij, Kryeministri Albin Kurti ka emëruar Ministër të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”, ka shkruar Kurti.
Para Mehajt, dorëheqje kishte dhënë edhe ish-Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jetonte e vepronte për të marrë në dorë udhëheqjen e Ministrisë.
Dorëheqja e tij kishte ardhur disa javë pasi Kurti kishte themeluar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, pas kritikave se Latifi s’po bënte asgjë në këtë sektor.
Pas dorëheqjes, Latifi kishte dalë me një letër, ku e quante si vendimin më të vështirë që ka marrë ndonjëherë në jetë.
Vendimin për t’u larguar nga Ministria, Latifi kishte thënë se e kishte marrë pas shumë reflektimesh muajve të fundit.
“Siç është bërë e njohur tashmë, me datë 6 tetor 2022, me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva per 10 muaj e gjysmë si Ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time.Ju falënderojë shumë për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, besimin tuaj, se ne mund ta rindërtojmë, zhvillojmë, dhe transformojmë shëndetësinë e Kosovës”, thuhej në letrën e Latifin.
Por, në bazë të një interviste që e kishte dhënë vetëm disa ditë para dorëheqjes, Latifi dukej se as që e mendonte dorëheqjen.
Aty Latifi kishte zbuluar se si ishte telefonuar nga Kurti, për ta marrë drejtimin e Ministrisë. E përshkruante si moment shoku.
“Kur z.Kurti më thirri në telefon, ishte një nga surprizat më të mëdha të jetës sime. Kurre se kisha menduar se do të më ndodhte kjo lloj gjëje mua. Mund të më godiste rrufeja në pikë të ditës, por jo kjo. Isha në shok. Jo shumë gjëra mund të më shokojnë mua, por në këtë pikë isha i shokuar sepse s’dija çfarë të bëja. S’më kishte ndodhur kurrë përpara. I thash, “Faleminderit, jam në shok, dhe se do të të njoftoj”, rrëfente Latifi.
Ish-Ministri ishte i bindur se do ta përmirësonte gjendjen në shëndetësi.
“Çdo ditë është ditë e re në Ministrinë e Shëndetësisë. Por, është një nder në jetën time. Është punë e vështirë, por e di se çfarëdo që bëj, e përmirëson situatën këtu”, deklaronte Latifi.
Në krye të detyrës vazhdon të jetë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila deri në emërimin si Kryediplomate jetonte e vepronte në Gjermani.
Kryeministrit Albin Kurti i është kërkuar shumëherë nga opozita që ta shkarkojë Gërvallën, për deklaratat që ajo ka dhënë dhe huqjet në rrjetin social në Twitter.