Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka shprehur ngushëllime për vdekjen e analistit e politologut kosovar, Ramush Tahiri.
Jahjaga përmes një postimi në Facebook tha se me Ramushin kanë kaluar nëpër batica e zbatica politike gjatë kohës sa ajo ishte presindente e vendit.
Ish-presidentja e vlerësuar Tahirin si një njeri i urtë, i sjellshëm e fisnik.
Tahiri ka qenë këshilltar politik i presidentes së vendit, Atifetje Jahjaga dhe këshilltari i Nexhat Dacit, kryeparlamentarit të parë të Kosovës.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Me pikëllim pranova lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe ish-këshilltarit e bashkëpunëtorit tim, Ramush Tahiri.
Me Ramushin kaluam nëpër batica e zbatica politike gjatë kohës sa isha presidente e Republikës. E çmoja për maturinë e tij dhe besimin e palëkundur se mund të zgjidhen problemet edhe kur ato dukeshin të pazgjidhshme.
Na la një njeri i urtë, i sjellshëm dhe fisnik!
Ngushëllime familjes dhe miqve!