Bordi i ZRrE-së ka aprovuar rritjen e çmimit të rrymës për konsumatorët që tejkalojnë konsumin mbi 800 kilovat.
Ata që shpenzojnë rrymë më shumë se 800 kilovat, tarifa për ta do të jetë 12 cent më e larta dhe 6 cent më e lira.
E rritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk po e sheh si zgjidhje ish-ministri i Energjisë dhe Minierave Et’hem Çeku.
Çeku në një intervistë për Klankosova.tv tha se kjo është një politikë e gabuar.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike e rëndon jetën e qytetarëve. Nuk është zgjidhje rritja e energjisë elektrike. Mund të jetë zgjidhje afatshkurte por në afatgjatë do të ketë pasoja dhe do të mund të shkaktonte kriza”.
Ai theksoi se rehabilitimi i pesë blloqeve të vjetra të termocentralit Kosova A do të mund ta shpëtonte Kosovën nga kriza me rrymën.
Sipas tij duhet të krijohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike pasi që Kosova ka rezerva të linjitit.
“Nuk ka kuptim shtrenjtimi i energjisë elektrike kur Kosova ka rezerva të mëdha të linjitit. Duhet të krijohen kapacitete prodhuese për energjinë elektrike. Kosova ka rezerva por ka mungesë të kapaciteteve”.
“Janë pesë blloqe. Të shqyrtohet mundësia se a mund të ketë një rehabilitim të thellë të atyre pesë blloqeve me investime të mëdha. Kështu përmes tyre ta mbajmë Kosovën me furnizim të rregullt me energji elektrike”.
“Duhet shikuar se a mund të ndërtojmë blloqet e ‘Kosovës e re’, për të cilën tani ka shumë pengesa për arsye se Banka Botërore dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë ndalë fondet dhe nuk lejojnë që të prodhohet energjia nga linjiti. Kështu që alternativa e vetme është që të rehabilitohen blloqet e ‘Kosova A”.
Ish-ministri lë fajtore politikën për shtrenjtimin e energjisë.
Ai tha se duhet të shikohen edhe zgjidhje të tjera si p.sh ofrimi i mundësive për investitorët privat.
“ZRrE e ka kompetencën për vendosjen e tarifave. Por, rritja e tarifave nuk ofron zgjidhje. Nuk duhet të shpenzohet fuqi dhe kohë në debate të panevojshme në Kuvend. Një prej zgjidhjeve do të ishte krijimi i mundësive për investitorët privat, si p.sh ndarja e kuotave për ta”.