Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, konsideron se kosovarët kanë besim shumë të madh në sistemin bankar në vend.
Kjo pasi, sipas Mehmetit, kosovarët ruajnë nëpër banka shuma marramendëse të parave, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se të depozituara janë hiç më pak se 5.5 miliardë euro, dhe se pjesa më e madhe e tyre i takon ekonomive familjare.
Në anën tjetër, asetet e bankave komerciale kapin vlerën e mbi 6.7 miliardë eurove, e kredi në banka kosovarët kanë 4.3 miliardë euro.
I njëjti tha se në Kosovë mungojnë mundësitë për investim, ndaj edhe grumbullohen shuma të tilla parash. Po të ekzistonin mundësi të tilla, sipas Mehmetit, ekonomia në vend do të lulëzonte.
“Duke qenë se norma e depozitave në banka është 2.4% qytetarët e shohin më të leverdishme me i investu për ta marr këtë interes sepse nuk ka alternativa tjera ku të investohen për të marr përqindje më lartë. Nuk kisha me thënë që qytetarët janë shumë të pasur, por që nuk kanë alternativa për të investuar. Në qoftse kosovarët do të kishin alternativa tjera për investuar do të ishin edhe më të pasur dhe që ekonomia e vendit do të ishte shumë më e zhvilluar”, deklaroi në T7 ish-guvernatori i BQK-së. /Botapress.info/.