Gazetari i njohur kosovar, Berat Buzhala, ka vendosur të ironizojë sot me militantët e VV’së pas ‘festës’ së madhe që patën mbrëmë pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.
Marrëveshja lejon kalimin e kufirit të të dyja vendeve me letërnjoftim të shteteve përkatëse, paçka se një gjë e tillë është lejuar edhe më parë.
Në këtë pikë, Buzhala i është ‘kapur’ militantëve të partisë në pushtet.
“Radhe te gjata ne Merdare, mijera militante te LVV’se vizitojne Serbine. Kufiri per here te pare eshte kaluar vetem me leternjoftime”, ka shkruar ai në Facebook, duke ironizuar në fund pasi që edhe në të kaluarën është kaluar kufiri me letërnjoftim.
Në fakt, kjo marrëveshje e arritur dje është pak a shumë ajo e vitit 2011, të negociuar atëbotë nga Edita Tahiri. Dallimi është se këtë herë, Serbia do t’ua vendosë nga një tekst të gjithë qytetarëve që e kalojnë kufirin me letërnjoftim të Kosovës, ku thuhet se Serbia nuk e njeh Kosovën edhe pse po lejohet lëvizja e lirë me letërnjoftime të lëshuara nga autoritetet e Kosovës./Botapress.info/