Irani shpall një fazë të re të konfliktit: Po vjen stuhia!

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, tha se lufta kishte hyrë në një “nivel të ri konflikti” dhe u zotua të intensifikojë hakmarrjen.

Në një postim në mediat sociale, Mohammad Bagher Ghalibaf tha se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit ishin një përpjekje për të mbuluar “disfatat” e tyre.

“Sy për sy është në fuqi dhe një nivel i ri konfrontimi ka filluar”, tha ai.

Në një postim tjetër, ai tha se reagimi ndaj luftës kishte çuar në një lloj “revolucioni të ri” që, sipas tij, po përhapej “rrugë më rrugë”.

“Irani ishte në gjumë, ju e zgjuat… Një stuhi po vjen”, shkroi ai.

Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) ka kërcënuar të shkatërrojë infrastrukturën e naftës dhe gazit të vendeve fqinje të Gjirit nëse sektori energjetik i Iranit sulmohet përsëri.

“Ju paralajmërojmë edhe një herë se keni bërë një gabim të madh duke sulmuar infrastrukturën energjetike të Republikës Islamike, ndaj së cilës tashmë po kryhet një përgjigje”, thuhet në deklaratën e publikuar nga media iraniane.

Ai shtoi se në rast të sulmeve të përsëritura, do të pasojnë sulme edhe më të fuqishme.

“Nëse kjo ndodh përsëri, sulme të mëtejshme ndaj infrastrukturës suaj energjetike dhe asaj të aleatëve tuaj nuk do të ndalen derisa ajo të shkatërrohet plotësisht, dhe përgjigja jonë do të jetë shumë më e fortë se sulmet e mëparshme”, tha IRGC.

Më herët dje, media iraniane raportoi se u sulmuan objekte të lidhura me fushën e gazit South Pars, më e madhja në botë.

Irani më pas kërcënoi të sulmonte infrastrukturën energjetike në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pak më vonë, një sulm me raketa goditi Ras Laffan të Katarit, ku u regjistruan dëme të mëdha materiale, gjë që shkaktoi dënim të ashpër nga Doha.

Të tjera