Krahas kësaj, Gashi thotë se Qeveria e Kosovës është më aktive në dialog, për të cilën thotë se i ka munguar më herët.
“Në përgjithësi ka një përshtypje se dialogu po dinamizohet, edhe ndërmjetësi Lajçak por edhe dy shtetet më të fuqishme të Be-së Gjermania dhe Franca, po duken më të involvuara për ta mbështetur këtë proces. Kjo lë përshtypje se jemi afër një marrëveshje përfundimtare, sado që është vështirë e besueshme, por megjithatë ka një rikthim të vëmendjes te dialog sesa ka qenë ndoshta edhe për shkak të zhvillimeve siç ishte lufta Ukrainë-Rusi, mbase për një kohë ka pasur ngecje, mirë është që Qeveria tani është më aktive, e ka ndër prioritetet kryesore dhe po mban qëndrime të duhura, dhe ne si vëzhgues të jashtëm duke e pasur mungesë informacione më burimore, mund të konstatojmë se ka të ngjarë se po lëvizet drejt një marrëveshje përfundimtare”, ka deklaruar për EO.
Liberalizimi i vizave, Ambasadori i Suedisë përmend këtë muaj
Duke folur për dialogun me Serbinë, Gashi thotë se Kosova duhet të angazhohet më shumë në diplomaci, e sidomos me vizita zyrtare.
“Kosova duhet të jetë proaktive, dialogu është alternativa kryesore e Kosovës për të shkuar drejt njohjes dhe përfundimit të legjitimimit ndërkombëtar të statusit të saj. Kosova sado që është shtet i vogël, ka deficite ekonomike dhe duhet ta ketë prioritet edhe më tutje politikën e jashtme, pra interaktivitetin, pra bisedimet me secilën organizatë, me një fjalë duhet të jetë më aktive në lobim, duhet të ketë diplomaci më shumë proaktive, duhet të ketë më shumë vizita e më shumë pritje të zyrtarëve të lartë këtu. Kosova duhet të dalë nga një lloj izolimi që e ka pasur për një kohë”, u shpreh Gashi.
E duke folur për luftën në Ukrainë, profesori universitar vlerëson se Kosova nuk ka mundur ta shfrytëzojë ndërkombëtarisht mos sanksionimin e Serbisë ndaj Rusisë.
Ai thotë se sanksionet që i ka vendosur Kosova, janë më të vogla se të shteteve tjera.
“Kosova ka ndjekur një kurs racional në raport me zhvillimet në Ukrainë, dhe sigurisht që kjo i ka dhënë njëfarë impulsi ndërkombëtarëve për Kosovën dhe njëfarë mbështetje, por nuk është se ka mundur shumë ta shfrytëzojë, për faktin se vëmendja e fuqive të mëdha ka qenë shumë e përqendruar atje (Ukrainë), dhe Kosova nuk ka pasur ndonjë kontributi të drejtpërdrejtë në atë luftë, përveç një deklarimi që i vënë sanksione, por efekti i atyre sanksioneve që i vënë Kosova, Rusisë, janë pakrahasimisht më të vogla se secilit shtet të Evropës”, ka shtuar ai.