Varianti i ri “Omicron” ka përfshirë 30 shtete në krejt botën dhe mundësitë janë të mëdha që shumë shpejt të përhapet edhe në Kosovë. Kështu ka deklaruar infektologu dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.
Infektologu Dreshaj tutje tha se pa marrë parasysh se a vijnë mërgimtarët apo jo, ky variant do të përhapet edhe në Kosovë.
Sipas tij, ende nuk ka rezultate konkrete nga mostrat që janë dërguar në Gjermani për testim.
“Variant i ri i virusit, i quajtur ‘Omicron’, praktikisht ka përfshirë një pjesë më të madhe, diku rreth 30 shtete e kanë evidentuar në botë. Karakterizohet për një përhapje më të shpejtë sesa varianti paraprak. Është herët të thuhet për formën klinike që do ta ketë. Sa u përket masave që Ministria duhet të ndërmarrë, unë mendoj që komisioni i ekspertëve të dalë me rekomandime të reja. Pa marrë parasysh se a vijnë mërgimtarët në Kosovë, virusi do të vijë. Të gjitha vendet e rajonit veç kanë filluar të evidentojnë. Mostrat tona kanë shkuar në Gjermani për testim dhe ende nuk kemi rezultate”, ka thënë Dreshaj.
Infektologu theksoi se spitalet në vend kanë kapacitete për të përballuar fluksin e të infektuarve me këtë variant. Kështu Dreshaj tha se Kosova do ta përballojë edhe këtë variant.
“Kapacitet e spitaleve janë të mjaftueshme për të përballuar fluks të njerëzve dhe do të jemi të gatshëm, ashtu siç i kemi përballuar ato valët e tjera të virusit në Kosovë, edhe këtë valë besoj do ta përballojmë me sukses”, tha Dreshaj. /EO