Presidenti, Ilir Meta, pak para largimit nga udhëheqja e presidencës shqiptare do të vizitojë Kosovën.Vizita e Metës në Kosovë, nis sot dhe do të zgjasë deri më 23 korrik.
Për nder të tij, Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të veçantë, raporton Gazeta Sinjali.
Në atë seancë, Meta do tu adresohet ligjvënësve kosovarë.Për vizitën e presidentit shqiptar në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës, duke dhënë detaje për ofrimin e sigurisë për të.
“Sot, më 21 e deri më 23 korrik 2022, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta, së bashku me një delegacion shoqërues. Në kohën e ardhjes (pasdite) me 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës. Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik” thuhet tutje në njoftim.