Gjithçka nisi me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha i cili tha se Kosova po bëhet si Gjermania. Tutje vazhdoi ministri i Financave nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati i cili tha se Kosova mund të krahasohet me Austrinë e Francën, ndërsa deputeti Armend Muja ka vazhduar vetlavdëratat.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se qeveria Kurti II ka bërë histori në ekonominë e Kosovës, por duket se ka harruar se pothuajse çdo produkt në Kosovë është shtrenjtuar, shkruan lajmi.net
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Muja pretendon se në Kosovë në qeverinë e Kurtit janë punësuar mbi 32 mijë persona, ndërsa thotë gjithashtu se rritja ekonomike ka qenë historike.
Gjithashtu Muja është shprehur se janë rritur investimet e huaja direkte dhe remitancat.
Ky është postimi i tij:
Qeveria Kurti II ka trashëguar 168,458 punëkërkues dhe 387,000 kontribues aktiv në Trust/ATK sipas Agjencisë së Statistikave. Pas një viti qeverisje, në dhjetor 2021 numri i punëkërkuesve ka rënë në 82,042. Numri i atyre që punojnë dhe kontribojnë në Trust/ATK ka arritur në 420,000 apo +32,000 krahasur me vitin paraprak. Qeveria Kurti II gjatë 2021 ka bërë histori tek treguesit makroekonomik të vendit – rritja ekonomike reale 9.9%, dyfishimi i eksportit (nga 380 në 750 milion euro), dyfishim i investimeve të huaja direkte ( nga 250 në 540 milion euro), remitancat (nga 1 nē 1.4 miliardë). Këto lëvizje kanë prodhuar efekte pozitive në tregun e punës. Kosova vazhdon me pasë sfida ekonomike dhe fushata të dezinformimit. Megjithatë, shifrat janë të verifikueshme. Viti i parë i Qeverisë Kurti II do të mbahet mend për rikthim ekonomisë së vendit. /Botapress.info/