Një burrë nga Cardiffi ka treguar se ka humbur nënën, babanë dhe vëllain e tij nga COVID-19 brenda një jave sepse të tre kishin zgjedhur të mos vaksinoheshin pasi ishin frikësuar nga dezinformatat nga antivaksorët.
Francis Goncalves, një kuzhinier, tha se besonte se babai i tij, Basil, 73 vjeç, ishte infektuar me COVID-19 ndërsa ishte në spital, kurse nëna e tij, Charmagne, 65 vjeçe, dhe vëllai Shaul, 40 vjeç, e morën atë në një darkë familjare, raporton “The Guardian”.
Ai tha se të tre, të cilët jetonin në Portugali, kishin hedhur poshtë mundësinë për t’u vaksinuar dhe Goncalves tha se shpresonte se ndarja e përvojës së tij mund të inkurajojë skeptikët e tjerë që të vaksinohen.
“Ata u vërshuan së tepërmi nga propaganda kundër vaksinimit”, tha ai. “Ata kanë synim njerëzit që frikësohen prandaj bien në kurth. Mesazhi që dua të përçoj është se pse qeveria do të donte t’ju lëndonte duke ju dhënë një vaksinë? Cili është qëllimi prapa saj? Kam folur me kaq shumë njerëz që tmerrohen nga vaksina, por ajo kushton me jetë”.
Goncalves, 43 vjeç, tha se prindërit e tij kishin probleme themelore shëndetësore, por vëllai i tij ishte “personi më i shëndetshëm” që ai e njihte dhe besonte se vaksina do t’i kishte shpëtuar jetën, duke shtuar: “Nëse ai nuk punonte në palestër apo vraponte, ai dilte në shëtitje. Ai nuk kishte pirë alkool për 15 vjet dhe kishte një dietë me bazë bimore”.
Disa ditë pasi të afërmit e tij kishin ngrënë së bashku, Goncalves tha se vëllai i tij filloi “të ndihej sikur ishte rënduar në peshë dhe se ishte i lodhur”. Shëndeti i vëllait dhe babait të tij u përkeqësua ndërsa Goncalves u përpoq të gjente një mënyrë për të arritur në Portugali. Ata vdiqën para se të arrinte atje.
Kur mbërriti, ai zbuloi se nëna e tij po luftonte për të përballuar virusin.
Goncalves tha: “Ajo ishte gjithashtu në një gjendje kome. Më lejuan të shkoja dhe ta shihja atë, gjë që tashmë ishte një shenjë se gjërat nuk po shkonin mirë dhe unë u desh të vishesha me pajisje të plota mbrojtëse”. Ajo vdiq ditë më vonë dhe të tre u varrosën në një varrezë në Lisbonë.
Familja ishte me origjinë nga Afrika e Jugut dhe ata u transferuan në Cardiff, Ëales, në vitin 2015. Një vit më vonë, prindërit dhe vëllai i tij u transferuan në Portugali, nga ku babai i tij ishte me origjinë.
Goncalves tha: “Babai im dha gjithçka nga vetja. Ai do të vishte këpucë të shqyera që ne të kishim më të mirën. Ai e donte nënën dhe ajo e donte atë. Nëna ime do të bënte gjithçka për ne. Vëllai im ishte shoku im më i mirë”.