Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin Pressing të T7, ku ka folur për zhvillimet në vend. Ai ka komentuar situatën në veri, derisa ka vazhduar me kritikat për Qeverinë Kurti.
Duke folur për zhvillimet në veri, Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar për të vendosur reciprocitetin e targave me Serbinë. Thotë se nuk kishte planifikim të duhur.
Ramush Haradinaj thotë se në kohën sa ai ishte kryeministër, gjëra të tilla s’kanë mundur të ndodhin.
“Nuk çohen policia atje që pastaj me ardhur KFOR’i me t’i liruar ose me negocu me Rakiqin, me ministrin tënd. Ky negocion me ministrin e qeverisë së vetë qysh me i shpëtu policinë e vetë”, thotë Haradinaj.
“Nuk më kish ndodh. Nuk më ka ndodh”, shtoi ai.
“Implementimi s’ka dal operacionalisht i suksesshëm’, shtoi Haradinaj.
“Nëse e merr qeverisjen e Ramush Haradinajt, s’ka pasur bllokada në rrugë. S’kanë guxuar me i qit”, tha ai në Pressing.
“Ju ka dështu çdo tentativë me na blloku dhe në fund ka dalë rusi në rrugë. Veç ka qenë një dallim, s’ia kemi falë minutin”, tha Haradinaj.
Ai ka deklaruar se Albin Kurti i ka kthyer në rob lufte forcat policore të Kosovës të cilat po qëndrojnë në veri të vendit.
“Ai i ka marrë e i ka bë policinë si rob lufte. Këtë ja ka bë kryeministri. Në vend se me e pasë një plan operativ ndryshe, vendosi do tenda vendose një kamp, prej atje e monitoron situatën”, ka deklaruar ai.
Tutje, Haradinaj e ka parë veprimin operacional të Kurtit për dërgimin e Njësitit Special të forcave të policisë së Kosovës në veri si të njëanshëm për nga aspekti i konsultimit.
“Ai ka njerëz mjaft të zot në polici që kishin mujtë me ia bë një plan operativ, është e njëjta polici kur ia ka qitë kamionat në rrugë. Planin operativ e ka bërë fshehtë ndaj aleatëve të sigurisë. E ka bë pa aleatët tanë. Nuk precizoj me emra e me adresa. Në rregull nëse je funksional pastaj”, ka shtuar tutje ai.
Haradinaj ka treguar edhe se çfarë do të bënte po të ndodhej në këtë situatë ku gjendet aktualisht kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas vendimit për zbatimin e masës për reciprocitetin për targat ndaj Serbisë.
Sipas tij, nuk është në rregull që kjo situatë të zgjidhet nga KFOR-i, pasi sipas tij, atëherë Kosova nuk është ‘zot i shtëpisë’.
“Po të ndodhesha në këtë situatë, i kisha mendu dy tre komponente. Së pari kisha mbajt një negocim të gjatë me aleatët, nuk e kisha lënë dikë me negociu në emër tënd, psh tash në emër tonë po negocion KFORi e që kjo nuk është në rregull. Kfori është një institucion i sigurisë që nuk ish dasht me pas një rol të negocimit të tillë.
Nuk është mirë Kosova me arrit zgjidhjen me KFOR, se po i bjen që ne atëherë nuk jemi zot të shtëpisë tonë. Ma mirë është që kryeministri me nejt me QUINTI nonstop, me sigurinë tjetër edhe me sqaru pak a shumë situatën e krijume dhe vizionin e tij të sigurisë në veri, që i bjen edhe një kamp të përhershëm të policisë, ku do të jenë policët përjetësisht aty. Me ju tregu që nuk e ka njet me u tërhek”, tha Haradinaj.
Tutje, Haradinaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti ‘ia ka marrë fytyrën shtetit të Kosovës”.
“Sikur Kurti ta kish koordinuar pak me aleatë, policia e zakonshme, një ushtar amerikan kish nejt qaty me këqyrë, edhe ata i kishin marrë tabelat edhe s’ju kish dok hiq problem. As nuk kish pasur problem më shumë”, thotë Haradinaj.
‘Ky ka dashur të thotë se “jam vend sovran” edhe e ka dërguar policinë edhe mirë ka bërë, unë jam për me i çu policinë sa herë të lypet, veç problemi është implementimin e ka bërë mozamakeq edhe ja ka hup pak fytyrën shtetit të vetë, në këtë rast shtetit tim dhe për këtë jam duke u ankuar”, thotë ai.
“Nuk u dashtë me ma pru punën që policia ime me mbet ashtu. U dashtë me i mëndu këto sene mirë qysh i bën por jo ashtu, se ka pasur opsione operacionale qysh bëhen këto punë”, shton Haradinaj.
Haradinaj tregon se si kishte vepruar ai në të kaluarën në veri.
“Na kur i kemi çuar njerëzit ju kemi thënë…a mundeni me besu se unë u kam thënë kur janë nis anej: Gjallë mos u ktheni knej, gjallë shkoni në Serbi ndashi. Asnjë i gjallë nuk guxoni me u kthy…djem e turpëruar vendin dhe u kthyet në mes të rrugës ose ua qiten një barrikadë, mos u ktheni. Ose s’po shkojmë hiq, ose kur të shkojmë fytyra është e jona”, ka deklaruar Haradinaj
Haradinaj: Besnik Bislimi është njeri me behane, i retardum, ka probleme mendore
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka kritikuar qeverinë e Kosovës për siç thotë dështim në vendosjen e reciprocitetit të targave me Serbinë. Thotë se përkrah vendimin e qeverisë së Albin Kurtit, por se kritikon planin për zbatim të këtij vendimi.
Për këtë Haradinaj fajëson zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, të cilin e ka quajtur të ‘retarduar’.
“Për shkak se qeverinë tonë e përfaqëson një Besnik Bislimi që është njeri i retardum. Ai ka probleme mendore, ai është një njeri me behane”, thotë Haradinaj në emisionin Pressing në T7.
“Ai ka probleme, ai s’e di as kë e përfaqëson, ai njeri nuk e di se çka përfaqëson”, shtoi Haradinaj.
Ish-kryeministri thotë se veprimet e Bislimit tregojnë se ai nuk e di se çfarë pune ka.
“Ia shoh veprimet. Ja t’i jap tri veprime të tij për me të tregu se sa i retarduar është”, tha Haradinaj.
“U ulë krahë për krahë me atë që po ia bie tenkat. A e patë në protokoll kur u ulë me nënshkru me Petkociç. Ky u ulë krahë për krahë me të, besom kush në botë s’e bën. E dyta, tha i hapim arkivat e UÇK’së. Po ku i ki arkivat. E treta, deklarata e tij në Komision për gazin. Thojke 1 liter gaz, menojke që po flet për gazin e llamave, Ky është i retarduar, s’e di se çka flet”, theksoi Haradinaj.
Tutje, ai ka kritikuar Qeverinë Kurti në mënyrën se si ata po qeverisin me Kosovën.
VV ka fituar 51% të zgjedhjeve dhe udhëheqë me të gjitha institucionet vendimmarrëse të ekzekutivit, e kjo nuk po i pëlqen Haradinajt i cili thotë se ata po udhëheqin gabimisht me vendin
“Ai është naiv, ai është i retardum ai s’e di çka flet”, tha Haradinaj ndërsa kur u pyet nga drejtuesit e emisionit se për cilin është fjala ai tha se “cili do të jetë se njëjtë janë ata, një budallë, një shpi budallë”.
“Pa u kon budallë, shqiptari nuk bohet me Rusinë”, shtoi tutje ai.
Ai ka folur për një takim që supozohej të mbahej mëngjesin e së dielës me kryeministrin aktual, Albin Kurti.
Haradinaj në Pressing të T7 ka sqaruar pse ky takim nuk u mbajt, dhe si ishte ndryshuar orari i këtij takimi.
Ai tha se ftesën nga Kurti e mori në mbrëmje për të nesërmen në ora 10, por sqaroi se kishte kërkuar që takimi të mbahej më herët sepse në atë kohë i duhej të shkonte në Gllogjan.
Për këtë Haradinaj thotë se mori konfirmim nga zyra e Kurtit që orari i takimit të ndryshonte për në orën 9, por tutje tregon se kur shkoi atje nuk e gjeti kryeministrin Kurti.
“Ftesa për takim më ka ardhë në ora 9 në mbrëmje për të nesërmen në ora 10. I kam treguar kryeministrit se me dëshirë kisha ardhë por më duhet me qenë në Gllogjan në ora 10. Mund të vi më herët në ora 9 ose pasdite kur të kthehem. Nga kryeministri kanë kontaktu me zyrën time dhe kanë vlerësu që është në ora 9, ne kemi mbërri në ora 8 e 57 para qeverisë”, ka thënë Haradinaj.
Tutje Haradinaj tregoi se kryeministri nuk ishte aty as në orën 9 dhe për këtë nuk i dha shpjegim askush, prandaj ai vendosi të largohej.
“Na ka pritur protokolli i tij na ka shoqëru deri në korridor. Kur është bërë ora 9 e kam lutur a po e njofton kryeministrin se jemi këtu. Në vend se me më dhënë shpjegim ai më ka lutur çka dëshiron me pi, unë i thashë tregoni këtij hajnit të juaj kryeministër që kur i thirrë njerëzit duhesh me qenë aty për me i pritë, nuk ekziston kjo logjikë as njerëzore, as familjare, as shtetërore. Në ora 9 e 1 minut jam nisur në drejtimin e kundërt. Nëse ka ndonjë arsye, të thotë a mundesh me prit, ne njerëz jemi”, tha tutje Haradinaj.
Ai shtoi se sipas bindjes së tij Kosova ka vepruar drejt me reciprocitetin me tabela.
Në këtë intervistë, Haradinaj i është përgjigjur kryeparlamentarit Glauk Konjufca, pasi ky i fundit tha se Haradinaj i ka punët keq me korrupsionin, duke shtuar se në bazë të mandateve të kaluara është e mundur që ai të përfundojë në Prokurori.
Ai në ‘Pressing’ në T7 tha se nuk ka arsye të shqetësohet për deklaratat e Konjufcës.
“Janë të mirëseardhur i mirëpres mem trokit për cka është ligj. Vec a e nijtet cka tha, ‘mos të mirret me korrupsionin tonë’. Nuk kom arsye m’u shqetësu cka thotë Konjufca. Nuk po e di pse po idhnohet, ai kryetar i parlamentit është o vlla. Pse ai bëhet avokat i Qeverisë? Pse spe len qeverinë me fol për veti?”, tha Haradinaj.
Ai e ka sqaruar deklaratën e dhënë më 2018’ën, se “liberalizimi i vizave ka ndodhur pardje” gjatë kohës sa po shërbente si kryeministër.
Haradinaj ka thënë se përgjigjen “po” për liberalizim vizash e kishte marrë nga Gjermania, por nuk priste që të kundërshtohej nga Franca, shkruan Gazeta Express.
“Unë kom besu që nëse e kemi Gjermaninë e bindun, atëherë Gjermania do të marrë një rol sqarues. T’i sqarojë Danimarkës më shumë, Holandës më shumë, Francës më shumë. Unë e kam pa se qëndrimi gjerman ka qenë i pastër”, ka deklaruar ai.
“Nuk e kam ditë që do e kemi më zor me Francën, sepse fillimisht kam mendu që problem kyç është Gjermania. Po-ja jeme ka qenë nga po-ja gjermane, me po eksplicite. Nuk është dashtë unë me e neglizhu situatën me Francën. Në fakt, jemi munu me punu, unë kom shku kom nënshkru tri marrëveshje me ministrin e Brendshëm të Francën, arsyeja ka qenë e pastër: me thënë po për liberalizim”, ka shtuar tutje Haradinaj.