Gara për Kryeshefin e “Ibër-Lepenc”-it ka arritur deri në pikën që të përpilohet lista e ngushtë. Gazeta Insajderi zbulon se kush është në këtë listë, dhe kush po favorizohet për këtë post.
Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenci” është në proces të zgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv.
Deri tash janë kryer intervistat nga Bordi i ndërmarrjes, ndërsa i pari në listë pas rezultateve të publikuara ka dalë i preferuari i Lëvizjes Vetëvendosje.
Bëhet fjalë për Luan Hotin, i cili në mesin e 26 kandidatëve të paraqitur për intervistim i ka marrë 65 pikë.
Ai është intervistuar nga Bordi prej gjashtë anëtarësh, kryesues Bajram Mustafa, dhe anëtarët Violeta Hoxha, Avdullah Nishori, Muzafer Luma, Valmira Latifi dhe Denis Dautaj, mëson Gazeta Insajderi.
![](https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/11/Screenshot_8-9-780x439-1.png)
Gazeta Insajderi në maj të këtij viti përmes burimeve të saja pati raportuar se Luan Hoti, kishte aplikuar për kreun e Inteligjencës Financiare, pozitë kjo e rëndësishme publike, dhe sipas të njëjtave burimeve ai ishte i preferuari i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post.
Komisioni i Ministrisë së Financave që drejtohej nga Klit Shala, u.d. Drejtor i Zyrës Ligjore në këtë ministri, do të vlerësonte me pikë më së shumti kandidatin e parafundit në listën e ngushtë, Luan Hoti, me çka përfaqësuesit britanikë në proces nuk ishin pajtuar, dhe rrjedhimisht ai nuk mund të ishte në krye të Inteligjencës Financiare.
Kush tjetër është në listën e ngushtë për Kryeshef të “Ibër-Lepenc”-it
Numrin dy në listën e ngushtë e mban po ashtu një njeri i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Bëhet fjalë për Faruk Mujkën i cili pas intervistimit ka arritur të marrë 60 pikë pë pozitën e Kryeshefit të “Ibër-Lepenc”-it.
Mujka për shumë vjet e ka udhëhequr degën e LVV-së Mitrovicën e Jugut. Ai po ashtu ka qenë edhe asamblist i kësaj partie në kohën kur qytetin e minatorëve e ka drejtuar Agim Bahtiri.
Në vitin 2021 kishte thënë se “jan dhënë dorëheqje nga kryetari i VV-së në Mitrovicë, por asnjëherë nga të qenurit aktivist”, shkruan Gazeta Insajderi.
![](https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/11/Faruk-1-1.png)
Ndërkohë, i treti në listë është renditur Xhavit Buzhala me 60 pikë, më pas Vigan Syla me 59 pikë dhe Bashkim Halabaku me 58 pikë.
Cili është roli i “Ibër-Lepenc”-it?
Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” Sh. A. me seli në Prishtinë është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.
Ajo është themeluar me Vendimin e Kuvendit të Kosovës me 28 Shkurt 1967, ndërkaq që nga pas lufta është transformuar në Ndërmarrje Publike N.H. “Ibër-Lepenc” nga UNMIK-u.
![](https://insajderi.org/wp-content/uploads/2022/11/image-355.png)
Pas Korporatizimit të Ndërrmarjes, më 01 janar 2008, ndërmarrja është shndërruar në Ndërrmarje Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” Sh. A.
Ndërmarrja është Shoqëri Aksionare në pronësi 100% të Qeverisë së Kosovës./Botapress.info/