Në Kosovë, ka dy tre vjet që investimet kapitale po dështojnë në vazhdimësi, dhe në shifra të theksueshme (qindra miliona euro) dhe kështu, këto dështime janë bërë praktikisht huqje kronike. Ndryshe nuk shpjegohet e dhëna se në vazhdimësi që nga 2021-ta, e sidomos në vitin 2022, por edhe në këta muaj të 2023 – tës, në Kosovë, sipas statistikave zyrtare dhe të azhuruara nga institucione të pavarura financiare, nga shoqëria civile, njohës të zhvillimeve ekonomike nga opozita, dhe nga mediet, bëhet fjalë për huqje të mëdha, për një fiasko të paparë në fushën e investimeve kapitale në nivel qendror dhe në atë lokal.
Edhe sivjet, pra, ende nuk ka asnjë njoftim për ndonjë investim të vlefshëm kapital, për ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, për ndonjë partneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit, ose për ndonjë projekt të ri të infrastrukturës, pos vazhdimit të rehabilitimit dhe të zgjerimit të ca rrugëve të nisura me vite të tëra më herët (ca prej tyre që nga viti 2012, siç është rruga Prishtinë – Mitrovicë, ose rruga nacionale Podujevë-Prishtinë, e nisur që më 2016-tën).
Para dy-tre muajsh, ç’është e vërteta është bërë publike shpallja e ankandit të parë nga Qeveria e Kosovës për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW në vlerë 75 milionë euro. Por, sado i rëndësishëm të jetë ky ankand (lansimi i këtij ankandi), për të cilin sipas njoftimeve zyrtare tashmë është shprehur një interesim i shumë investitorëve, deri te realizimi i këtij projekti, domosdo do të duhet të kalojë një kohë e gjatë.
Ndërkohë, sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi rreth 18 komuna nuk do të përfitojnë asnjë cent nga niveli qendror për projekte të reja të investimeve kapitale. Dhe, Ibrahimi konsideron se mos investimi në projekte kapitale do të ndikojë në normën e rritjes ekonomike.
Të dhëna alarmuese janë shpërfaqur në këto dy-tre ditët e fundit në mediet e vendit për ngecjen dhe kthimin prapa të trendeve të investimeve kapitale në vend.
Sipas këtyre të dhënave, tashmë të bëra publike, ministrat e Kurtit, kanë realizuar zero deri në vetëm 5% investime kapitale në gjysmën e 2023-tës.
Faton Peci dhe Arben Vitija janë dy ministrat më me pak investime kapitale të Qeverisë Kurti në gjashtë mujorin e parë të 2023-ës. Peci nuk e ka shpenzuar as edhe 1 % të buxhetit për investime kapitale në agrarin kosovar. Kurse Vitija, në sektorin e Shëndetësisë, ka shpenzuar pos 2 % të buxhetit për investime kapitale. Janë këto disa detaje të bëra publike nga mediet dhe që flasin vetëvetiu për dështimet e papara në këtë segment zhvillimor të vendit. Neglizhente dhe e pafuqishme në investime kapitale është kallxuar edhe Ministria e Ekonomisë, dikasteri i Artane Rizvaollit, duke shpenzuar pos 4 % të buxhetit për projekte. Ndërsa, 5 % të buxhetit e kanë shpenzuar për investime kapitale Ministria e Drejtësisë, ajo e Financave dhe Ministria e Kulturës. 10 % të buxhetit të saj e ka çuar për investime kapitale Ministria e Tregtisë, kurse 11 % ajo për Zhvillim Rajonal. 14 % të buxhetit të saj e ka çuar për investime kapitale Ministria e Arsimit, dhe 16 % Ministria e Infrastrukturës. Ministria e Kthimit e ka shpenzuar 21 % të buxhetit nga janari e deri në qershor për investime kapitale, kurse ajo e Punëve të Brendshme, 23 %.
Në njëfarë mënyre, vetëm Ministria e Mbrojtjes, e cila ka realizuar 50 % të investimeve kapitale në këtë periudhë dhe Ministria e Punëve të Jashtme 59 %, imponohen paksa duke bërë diferencën në realizimin e këtyre investimeve.
Në këtë mënyrë, sipas të dhënave, del që shteti në gjysmën e parë të vitit ka shpenzuar në total vetëm 150 milionë euro, ose 18% të buxhetit prej 844 milionë euro, sa ishte planifikuar për investime kapitale.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, si gjithnjë, njëri nga kritikuesit e vazhdueshëm të Qeverisë sa i përket zhvllimeve ekonomike, pas publikimit të të dhënave të investimeve kapitale në gjashtëmujor ka thënë se Qeveria ka dështuar në investimet kapitale. Sipas tij, 70 përqind e projekteve të parapara për këtë vit as nuk kanë filluar, duke i quajtur shqetësuese shpenzimet kapitale sipas organizatave buxhetore.
“Sikurse në dy vitet e kaluara, edhe sivjet ekonomisë do t’i mungojnë qindra miliona euro qarkullim në mungesë të realizimit të investimeve kapitale”, ka shkruar Hoti.
Edhe kyetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka qenë kritik ndaj qeverisë në lidhje me shifrat e ulëta të investimeve kapitale. “Investimet kapitale janë infuzioni më i mirë i mundshëm që mund t’i vijë sektorit privat nga shteti. Ato janë elementi kryesor në ngritjen ekonomike të vendit dhe zhvillimin e mirëqenies së qytetarëve”. Sipas tij duhet sa më shpejt në Kosovë të lëshohet në qarkullim paraja. “Paraja nuk është vetëm infuzion, por krijon edhe siguri tepër të madhe të bizneset. Kjo ndodh pasi tregon se kemi stabilitet financiar në biznese dhe vend”, ka deklaruar ndër të tjera Rafuna në medie.
Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, sikur do t’iu kundërpërgjigjet kritikave për dështimet në sektorin e investimeve kapitale shkruan sot se “ po e menaxhojmë mirë paranë publike dhe tash kemi nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë”. Sipas tij, “është arritur që të ndryshohet trendi i borxhit shtetëror duke e kthyer sërish në nivele të para-pandemisë”. Ai ka shkruar se kjo është bërë falë disiplinës fiskale dhe mirëmenaxhimit të parasë publike. Kjo, sipas Muratit, ndikon që të mbahet nën kontroll kostoja e kamatave dhe mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja.
“Falë disiplinës fiskale e mirëmenaxhimit të parasë publike, kemi arritur që të ndryshojmë trendin e borxhit shtetëror duke e kthyer sërish në nivele të para-pandemisë. Një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ky konsolidim së pari e mban nën kontroll koston e kamatave, sepse sa më pak borxh aq më pak pagesë e kamatave, dhe së dyti na mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja në krahasim me të tjerët, sepse kemi dëshmuar qëndrueshmëri dhe mirëshpenzim të parasë publike”, ka shkruar Murati.
Ndërsa, për dështimet kolosale të realizimit të investimeve kapitale në vitin 2022 tashmë dihet dhe për këtë janë shpërfaqur në shumë raste të dhëna konkrete, qoftë nga asociacione nga shoqëria civile, qoftë nga përfaqësues të subjekteve politike opozitare.
Po përkujtojmë edhe një herë: Realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, ka qenë më i ulëti në dekadën e fundit, ishte konstatuar në një raport të publikuar nga Instituti GAP. Investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal janë 19 për qind. Shpenzimi i buxhetit për investime kapitale gjatë vitit 2021 kanë qenë 19 për qind në nivel qendror dhe 26 për qind në nivel lokal. “Realizimi i investimeve kapitale si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal ndodhet në këtë pikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore si dhe të politikave qeveritare”, kishte vlerësuar GAP-i në këtë raport.
Sipas raportit të Institutit GAP, nga gjithsej afro 811 milionë euro sa ishte parashikuar të jenë investimet kapitale më 2022, 611 milionë euro apo 75% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe rreth 200 milionë euro janë planifikuar për projekte të reja kapitale. Nga kjo shumë për projekte të reja, rreth 26%, përkatësisht 51 milionë euro janë të alokuara për nivelin qendror, kurse pjesa tjetër për nivelin lokal. Nga 51 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna./Buletini Ekonomik