Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka komentuar qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dialogun me Serbinë, të cilën e ka vlerësuar si të gabuar teksa ka vazhduar tutje duke thënë se me një qasje tjetër mund të arrihet më shumë, shkruan Gazeta Botapress.
Enver Hasani ka folur rreth dialogut me Serbinë së fundi, ku ka kritikuar kryeministrin Kurti. Ai e ka quajtur të gabuar qasjen e Kurtit për dialogun.
“Është hera e dytë që mendoj se e ka qasjen e gabuar. E ka gabim qasje. Mund të arrihet më shumë me një qasje tjetër. Edhe ajo e kaluara, është pak e besueshme që kufizohet me naivitet, me besu se ti duhet informosh edhe Evropën edhe SHBA-në, që e kanë bombarduar Serbinë, për gjendjen tonë dhe çfarë halli kemi. Më vjen keq por këtë s’na beson askush. Jo vetëm sot por dy shekujt e fundit kanë qenë filologë, politologë, ekonomistë, shtetarë e vendeve të Evropës edhe të SHBA-së më vonë të cilët i kanë dhënë vulë identitetit të shqiptarëve, në formësimin e identitetit çfare jemi aktualisht. Në këtë kuptim, mendoj pra, se duhet të shfrytëzohet dashamirësia. Edhe një çështje duhet ta dini, duket se nuk ka agresivitet, kjo pak me Borrellin që u shpreh sot është edhe më dramatike se që duket ashtu te aleatët tjerë”, ka thënë Hasani në Desk.
Tutje ish i pari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se forcat politike duhet të bëhen bashkë karshi Serbisë për të mos i krijuar hapësirë Serbisë që të ketë avantazh në arenën ndërkombëtare.
“Është botuar në gazetën zyrtare që është pjesë e rendit tonë juridik. Duhet të ulemi me bisedu forcat politike. Është problem elitik, nuk është problem që vendoset me votë, se dihet çfarë vendosin popujt në Ballkan kur janë shumicë e kanë fuqi më të madhe se tjetri. Duhet arritur konsensus dhe me i dal përballë këtij detyrimi. Ka hapësirë të mjaftueshme, jo vija të kuqe, por t’i japë alternativa palës tjetër, me gozhdu në kuptimin pozitiv të fjalës, të mos i lëmë Vuçiqit avantazh në arenën ndërkombëtare. Kjo e sotit nuk i shkon fort në favor të palës sonë”, ka thënë Hasani. /Botapress.info/