Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se, mbrojtja e Kosovës ndërlidhet nga aleanca me Amerikën dhe NATO’n.
Ai ka shtuar se, Kosova është partner në projekte të mëdha ushtarake.
“Një parametër tjetër që e garanton shtetësinë e një vendi është mbrojtja. Besoj që kushdo ka luftua e di rendësinë e kësaj komponente. Me 24 mars, 1999, si edhe sot, mbrojtja jonë ndërlidhet nga një aleancë me Amerikën dhe NATO. Kushdo që ka rrugëtuar dhe ka qenë pjesë e proceseve e di rëndësinë e komponentëve, mbrojtja përveç që buron nga sakrifica e popullit tonë, na erdh nga Amerika dhe NATO më 24 mars 1999, në atë kohë e kemi thënë, Zoti në qiell, Amerika në tokë,” ka thënë i pari i AAK’së.
Ai ka shtuar se, Amerika ka konfirmuar se, Kosova do të përkrahet për partneritetin për paqe.
“Pasojat që i kemi në zgjerimin e përmbylljes së një procesi të rendit dhe qetësisë në veri. Proceset tona me BE-në zhbllokohen. Rritja e prezencës ushtarake amerikane në Ballkan, vendosja e komandave, rritja e bazave të reja, përkrahja që i jep Amerika forcimit të ushtrisë na bën të besojmë se po hyjmë në një rresht me Amerikën dhe po shkojmë kah anëtarësimi me NATO-n, ecja me marrëveshjen në bazë të planit evropian ka mundësi të ndodhë tash, kemi konfirmim direkt se me këtë marrëveshje kemi rrugëtim drejt anëtarësimit në partneritet për paqe dhe NATO-s, plani evropian është i pranueshëm, përkrahet prej meje dhe prej aleancës, ka të bëjë me ekzistencën tonë, ecjen drejt NATO-s”, ka vijuar ai.
Ai ka shtuar se, plani frank-gjerman është finalja dhe se, edhe pse quhet franko-gjerman, ai është plan Amerikan.
“Kjo është finalja, nuk do të ketë më marrëveshje me Serbinë. Që të thuhet se ka edhe një marrëveshje jeni gabim. Unë besoj që kjo marrëveshje është ndarja finale me Serbinë. Vërtet quhet plan franko-gjerman por ai është plan Amerikan. Ne duhet ta kemi guxim dhe ta shpallim mbylljen e dialogut”, ka thënë Haradinaj. /Botapress.info/