Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reagur ndaj provokimeve që po ndodhin nga serbët në veri të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se pavarësisht si janë zhvilluar gjërat dhe si është marrë vendimi për targat, ajo qe po ndodhë në veri të vendit është e pa pranueshme.
“E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit. Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje kreu i AAK-së ka bërë thirrje që Brukseli të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara.
Kujtojmë se ditën e djeshme tre helikopterë të ushtrisë serbe kanë fluturuar mbi sipërfaqen e Republikës së Kosovës për disa sekonda, ndërkohë që edhe sot është raportuar se aeroplanë ushtarak janë parë duke fluturuar po ashtu.