Botapress 18 Maj – Dorëheqja e dy zyrtarëve të lartë të partisë e ka detyruar të reagojë kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka lëshuar një komunikatë për media.
Gjatë ditës së djeshme dha dorëheqje zyrtari i lartë i AAK’së, Rexhep Kadriu i cili ishte ish-ministër i Infrastruktures i kësaj partie dhe sot dha dorëheqje Magbule Sadriu-Shkodra.
Sadriu-Shkodra i ka bërë të ditura arsyet e dorëheqjes, por që nuk kanë kaluar as 24 orë që nga momenti kur dorëheqje nga AAK dha edhe ish-ministri i Infrastrukturës nga radhët e kësaj partie, Rexhep Kadriu.
Haradinaj nëpërmjet reagimit tha se AAK’ja i ka të orientuara energjitë në zgjedhjet komunale. Por gjithashtu ka përmendur edhe dorëheqjet e fundit nga partia duke i falënderuar për përkushtimin e deritanishëm.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale. Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.”, thotë Haradinaj.
Ai më tutje shprehet se Aleancës po i bashkohen të rinj dhe ka përmendur edhe zgjedhjet e brendshme ne AAK.
“Koha në të cilën po veprojmë, është kohë e sfidave të mëdha dhe kërkon vullnet, përkushtim e guxim për punë. Jam tejet i lumtur që Aleancës po i bashkohet një brez i tërë i të rinjëve, ta gatshëm të përballen me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet. Kjo garë, rezultatin e parë do ta jap në zgjedhjet komunale, do të vazhdojë me zgjedhjet e rregullta të brendshme në Parti, në pranverën e vitit që vjen, si dhe në zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Duke iu uruar sukses mijëra antarëve të Aleancës që janë të angazhuar në këtë proces, i siguroj se përkrahja ime do të jetë për secilin që shpreh vullnet për punë në forcimin e mëtutjeshëm të organizatës sonë të përbashkët. Aleanca ishte dhe do të mbetet parti e vlerave demokratike, në shërbim të Atdheut e të qytetarit.”, tha Haradinaj. /