Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mbrojtjen që po i bën ministres Rozeta Hajdari për skandalet në ministrin e saj.
Ai ka kritikuar shefin e qeverisë dhe për sulmet ndaj mediave dhe gjyqësorit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se këto sulme tregojnë qartë se Kurti dëshiron pushtetin apsolut në Kosovë.
“Pushtetin #KREJTdheDREJT e donin Albin Kurti me VV-në dhe satelitët e tyre të vegjël për një arsye të thjeshtë, që me gjasë shumëkush nuk e ka kuptuar me kohë. Mbas dy vjet e gjysmë, do të duhej ta kuptonin të gjithë. Po ta kishin pushtetin absolut në Kosovë, domethanë pos legjislativit dhe ekzekutivit, që i kanë marrë me votë, edhe gjyqësorin dhe median, pushteti do të mund të qeveriste po kaq keq – me skandale të njëpasnjëshme, me shkelje serike ligjesh e Kushtetute, me korrupsion të gjithanshëm – pa u marrë vesh. Me agjitacion dhe propagandë do të flisnin për veten si pushtet i pakorruptuar, shembëlltyrë e demokracisë”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se demokracia është armiku i kryeministrit Kurti.
“Kultura politike e Albin Kurtit është pushteti absolut. Demokracia është armiku i tij, ndonëse e ka përdorur për të ardhur në pushtet. Nuk e do Qeveria e Kosovës kontrollin reciprok – angl. checks and balances – të pushteteve legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe të medias, që është thelbi i demokracive liberale. Prandaj, median e pavarur e akuzon pse nxjerr në publik skandalet e pushtetit. Gjyqësorin, madje edhe Gjykatën Kushtetuese të shtetit, e akuzon se po bëhet pengesë për reformat që do të donte t’i bënte ky pushtet. Reforma që do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por në pajtim me kulturën e pushtetit absolut të partisë në pushtet”, ka shkruar Hamiti.