Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka thënë se është e papranueshme që Policia e Kosovës nuk ka kushte elementare e bazike.
Halimi ka shkruar në Facebook se policët rrezikojnë çdo ditë jetën teksa nuk kanë “as sigurime shëndetësore; dalin në detyrë me çizme të shqyera e me jelekë antiplumb me afat të skaduar; tani të vuajnë për gjëra edhe më bazike se këto”.
Ajo ka thënë se Qeveria nuk mund të arsyetohet kurrsesi për lënien e policëve të izoluar e pa ushqim në veri.
“Është tërësisht e papranueshme, që policët e Kosovës të cilët rrezikojnë jetën çdo ditë; e nuk kanë as sigurime shëndetësore; dalin në detyrë me çizme të shqyera e me jelekë antiplumb me afat të skaduar; tani të vuajnë për gjëra edhe më bazike se këto. Nuk ka kurrfarë arsyetimi lënia e policëve të izoluar, pa ushqim, e të detyrohet EULEX-i për t’iu derguar rroba e ilaqe. Heronjë sa për t’u fotografuar me ta, e pastaj në çdo hap të anashkaluar. E turpshme kjo sjellje e kjo neglizhencë e pushtetarëve karshi policëve që prej dy javësh vuajnë pasojat e popullizimit të partisë në pushtet.”, ka shkruar ajo.