Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe familja Kuqi në Nikadin të Ferizajt.
Gazeta mëson se mbrëmë, persona të panjohur kanë hyrë brenda shtëpisë së familjes Kuqi, ku kanë arritur që të ‘avullojnë’ 17 mijë euro, pjesa më e madhe para të gatshme, si dhe stoli të arit. Me të shkuar në shtëpi, pronari ka vërejtur se paratë nuk ishin ku i kishte lënë, me ç’rast ka njoftuar Policinë se shtëpia e tij ka qenë cak i hajnave.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e denoncimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpitë dhe më pas kanë vjedhur paratë dhe arin.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve./Botapress.info/