Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe familja Muja në rrugën “Cenë Avdyli” në Pejë, ku hajnat kanë bërë kërdi në shtëpinë e tyre, prej ku kanë vjedhur gjësende me vlerë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat kanë vjedhur televizorët, laptopët e stoli të arit nga shtëpia e tij, që kapin vlerën e mbi 7 mijë eurove.
Aksident i tmerrshëm në Zveçan, publikohet momenti i përplasjes
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpinë dhe më pas kanë vjedhur gjësendet. Gjatë kësaj kohe, pronari dhe bashkëshortja e tij kanë qenë në Austri për pushime te familjarët, periudhë kjo që u shfrytëzua nga hajnat.
Pas raportimit të vjedhjes, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. /Botapress.info/.