Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në një konferencë për media të premten ka folur lidhur me arrestimet që janë bërë në ministrinë e saj sot duke thënë se si ministri janë të bindur se furnizimi në rezervat shtetërore është kryer në pajtim me ligjet në fuqi.
“Jam njoftuar sot se në MINT kanë ardhur njësia hetuese e Prokurorisë Speciale me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontrolle të dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica. Për më tej, PS ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta. MINT mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, ani pse jemi të bindur se furnizimi në rezervat shtetërore është në pajtim me ligjet në fuqi.”, tha Hajdari.
Hajdari ka akuzuar policinë hetuese se nuk ka prezantuar certifikatë për siguri sekrete duke marrë parasysh se sipas saj bëhet fjalë për dokumente të klasifikuara.
“Si ministre e MINT unë pres që organet e hetimet të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore të mos cenojnë në asnjë formë sigurinë shtetërorë për sa kohë bëhet fjalë për rezervën shtetërore. Sepse gjatë hetimeve, dokumentet që janë marrë si prova janë klasifikuar si sekrete shtetërore ndërsa policia e njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikatë për siguri sekrete, pra kërkesa e policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave dhe dokumenteve ka qenë në kundërshtim me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.”, tha Hajdari.
Ajo është shprehur se furnizimi me mallra shtetërore është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi, derisa ka thënë se në qeverisjen Kurti është tridhjetëfishuar malli në rezervat shtetërore, derisa ka gjetur kohë të akuzojë qeverisjet e kaluara për “vjedhje”.
“MINT i siguron të gjithë qytetarët se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore me standarde dhe parametra të caktuara të cilësisë është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk dyshojmë në asnjë keqpërdorim nga zyrtarët tanë që janë ndaluar sot për 48 orë në polici.
Me lejoni të ju njoftoj se rezervat shtetërore të mallrave bëhen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë dhe ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit dhe situatave të tjera të përcaktuara me ligjin për rezervat shtetërore. Andaj përgjatë 2 vjetëve të qeverisë me udhëheqjen e LVV-së, rezervat shtetërorë kanë shënuar rritjen më të lartë duke u 30-tëfishuar deri më tani. E kjo për ndryshim nga qeverisjet e kaluara kur rezervën shtetërore e gjetëm në greminë, të vjedhur dhe duke cenuar sigurinë kombëtare të popullatës tonë.”, tha Hajdari.
Hajdari ka thënë detaje lidhur me furnizimin me mallra për rezervat shtetërore për vitet 2021, 2022 dhe 2023 duke thënë se shumë informacione nuk mund t’i ndajë pasi janë të klasifikuara sepse bëhet fjalë për siguri shtetërore.
“MINT i siguron të gjithë qytetarët se të gjitha procedurat e negocimit dhe blerjes së vitit 2022 në lidhje me furnizimin me mallra për rezervën shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen në bazë të legjislacionit në fuqi.
Sa i përket blerjeve të furnizimit për vitin 2021 më lejoni të ju njoftoj si në vijim, në vitin 2021 MINT ka shpallur tri herë procedura të prokurorimit për të blerë një sasi të rezervës shtetërore për të cilat një procedurë e prokurorimit ka përfunduar me sukses ndërsa dy kanë dështuar në sajë të mosofertimit nga operatorët ekonomikë vendorë. Në tremujorin e parë të vitit 2022 furnizimi me mallra të rezervave shtetërore është trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare sepse ishte rreziku i lartë me mbyllje të kufijve në kohën kur filloi lufta në Ukrainë dhe rezerva shtetërore në Kosovë ishte në gjendje të pamjaftueshme.”, tha ministrja.
“Gjatë fillimit të vitit 2022, pra më konkretisht ne shkurt kur lufta në Ukrainë filloi solli ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe mungesë të mallrave bazikë për jetesë për shkak të ndalesës së eksporteve në shumë vende, inflacionit global dhe ngritjes së çmimeve, në muajin shkurt këtë vit, qeveria e Kosovës mori vendimin me kërkesë të MINT të rrisë buxhetin për rezervën shtetërore dhe mori vendim për përjashtim nga procedurat e prokurorimit për furnizim me produktet e rezervës shtetërore sipas legjislacionit, ligjit për rezervat shtetërore, legjislacionit për buxhetin e Kosovës dhe prokurorimin publik dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe kjo për më shumë përkundër ndikimit të luftës në Ukrainë, MINT përmes departamentit të rezervave shtetërore dhe mallrave ka rritur sasinë e mallrave për 30 fish duke rritur sigurinë kombëtare të qytetarëve tanë.”, tha gjithashtu ajo.
Ajo ka pranuar se një pjesë e totalit të furnizimit të vitit 2022 (3 përqind sipas saj) është vonuar dhe për këtë ka thënë se më 8 qershor të këtij viti është njoftuar avokatura shtetërore.
“Më lejoni të ju informoj se nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022, ndonëse se do të kisha dashur të ndaj më shumë me ju, për shkak të informacioneve të klasifikuara, ju informoj se vetëm 3 përqind të totalit të furnizimit kemi pasur vonesa, pra gjatë vitit 2022, për cilat vonesa me datë 8 qershor 2023 është njoftuar edhe avokatura shtetërore nga zëvendëssekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore, ndërsa për këtë vit, MINT është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e rezervës shtetërore me 15 milionë euro më shumë në mënyrë që t’i sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave të krizës dhe për mbijetesë.”, tha Ministrja Hajdari.
Në fund, ajo ka thënë se MINT ka ndërmarrë veprimet ligjore për raportimet që ajo i quan “shpifje e fyerje”, derisa ka thënë se në mandatin e saj janë dorëzuar 26 lëndë në Prokurorinë Themelore, në Policinë e Kosovës dhe në Gjykatën e Kosovës por se nuk janë njoftuar nga ta për ndërmarrjen e ndonjë vendimi.
“MINT ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve ndaj MINT ndaj meje, ndaj zyrtarëve të kësaj ministrie tek organet e drejtësisë dhe ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për këtë fjalë. Për më shumë dua të ju njoftoj sot se që nga fillimi i mandatit tim, ne kemi dorëzuar 26 lëndë në prokurorinë themelore në policinë e Kosovës dhe në gjykatën e Kosovës dhe deri më tani asnjëherë nuk jemi njoftuar nga ana e tyre për ndërmarrjen e ndonjë veprimi, ftojmë organet e lartcekura që të fillojnë t’i trajtojnë këto lëndë të dërguara nga MINT dhe kam pritur se veçse do të fillojnë me këto raste sepse tashmë janë bërë veç 2 vite.”, tha Hajdari. /Botapress.info/