Grupi i alpinistëve “Hiking Njeri Kosova” ka bërë të ditur se nuk janë lejuar t’i vizitojnë Malet e Sharrit sot nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Kjo u bë e ditur nga udhëheqësi i këtij grupi, Ben Islami përmes një postimi në Facebook.
“Ju informojmë se për shkak të disa problemeve në rajonin e Sharrit të Shtërpcës, vendi ku kemi pasë të shkojmë në Liqenin e Jazhincës, HIKINGNJERI ndërron destinacionin për në LIQENAT TË RUGOVËS (PEJË)”.
“Para pak çasteve na lajmëruan Policia e Kosovës dhe AKI se për një kohë te pacaktuar janë të ndaluara ecjet në komplet bjeshkët e Sharrit. Ecjen “Hike and Swim” do ta bëjmë në Liqenatin e bukur të Rugovës pasi tani dy liqenet janë komplet të shkrira dhe të mbushura me ujë”, thuhet në njoftimin e “Hiking Njeri Kosova”.
Kujtojmë se gjatë ditës së rreth 120 alpinistë nga pjesë të ndryshme të Serbisë por edhe nga veriu i Kosovës janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Brezovicë dhe nuk janë lejuar që të vazhdojnë për ecjen që e kishin planifikuar për në Bjeshkët e Sharrit.