Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili garon për të marrë edhe një mandat për kryeministër, në një intervistë për televizionin lokal “Istogu Chanel”, është pyetur për reagimet që i kanë ardhur nga emisari amerikan, Richard Grenell, i cili në një reagim në “X” e ka cilësuar Kurtin si politikan jo të besueshëm dhe ka kërkuar të mos mashtrohen kosovarët kur Kurti pretendon se raportet Kosovë-SHBA janë të mira.
Kurti në momentin e parë s’ka dashur të përgjigjet, duke thënë se analizë bëjnë analistët në studio, por më pas ka thënë se raportet mes Kosovës dhe SHBA-së kurrë s’kanë qenë më mirë.
“Ti e din shumë mirë, unë tan jetën kam qenë aktivist, po jo analist. Ata që bëjnë analiza janë nëpër studio televizive, që thonë a e pe qysh e kqyri… Kurrë ma mirë s’i kemi pasë. Po blejmë edhe helikoptera Black Hawk pas sistemit Javelin anti-tank, grantin më të madh nga SHBA e kemi marrë gjatë qeverisjes time. Kurrë ma mirë nuk u kanë. A ka naj herë kritika e vërejtje, po, po na duhet me ecë përpara”, ka thënë Kurti në Istogu Channel.
Kurti ka thënë se tashmë pas qeverisjes së tij, raporti Kosovë-SHBA ka avancuar dhe nuk është vetëm diplomatik, por edhe i sigurisë dhe i fushës së energjetikës.