Goditja tjetër nga kabineti i Kurtit ndaj Osmanit për ndryshimet kushtetuese

Këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani për shkelje të Kushtetutës me nxjerrjen e dekretit për shpërndarje të Kuvendit.

Duke folur për amendamentet e dërguara nga Osmani në Kuvend dje përmes të cilave parashihet zgjedhja e Presidentit direkt nga populli, Zulfaj tha se nga “vërbimi” nuk e lejoi ta shohë pjesën ku amendamentet hyjnë në fuqi vetëm pas gjashtë muajsh.

“Mbrëmë, disa orë para fillimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, Presidentja Vjosa Osmani i dërgoi Kryetares së Kuvendit amendamente për ndryshimin e Kushtetutës. Presidentja Vjosa Osmani i ka plot pesë vjet që është zgjedhur presidente dhe, nëse do të shtyhej nga vullneti i mirë për republikën, këtë veprim mund ta bënte shumë më herët, në mënyrë që sot të ishim në kohë për zgjedhjen e presidentit nga populli. Pse nuk e bëri këtë me kohë?”.

Osmani në konferencën e mëngjesit sot tha se përmes atyre amendamenteve nuk ka synuar që ajo të dalë në garë ose për pasardhësin e saj në këtë post, por se ajo vlen për presidentin e pas pesë vjetëve.

“Sot në konferencë paska thënë që “nuk e kam bërë për vete”. Po pse atëherë në ditët e fundit? Nëse veprimi i saj nuk ka qenë për të gjetur një zgjidhje për veten e saj në këtë kohë, por për një president të ardhshëm për vitin 2031, atëherë ky duket veprim i kotë, sepse këto procese mund t’i niste presidenti i ardhshëm qysh në fillim të mandatit të tij apo të saj. Por e vërteta është tjetër. E vërteta është se zelli për pushtet si duket është aq i madh sa edhe vërbues dhe nuk lejon të shohësh pjesën ku amendamentet hyjnë në fuqi vetëm pas gjashtë muajsh”.

Në fund Zulfaj e kritikoi se e sulmoi subjektin “që e bëri presidente”, duke iu referuar Vetëvendosjes.

“I njëjti zell dhe vërbim e shtyri sot të bëjë gabimin e radhës, duke i veshur vetes një pushtet që nuk i takon. Pas pesë vitesh që Vetëvendosje i dha rastin të shërbejë në pozitën më të lartë të shtetit, në vend që ta përfundojë mandatin me dinjitet, ajo si akt të fundit zgjodhi shkeljen e Kushtetutës dhe sulmin ndaj subjektit që e bëri presidente. Trashëgimi e pandershme”.

Të tjera